AlbanianSport.com 31/01/2020 21:10
ASNN – Përmbys humbjen e ndeshjes së parë 0-3, fiton atë kthimit 1-3 dhe triumfon në setin e artë. Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka luajtur të premten takimin e kthimit të çiftit të parë, Tirana-Mirdita, duke dhuruar një të papritur të vërtetë. Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca, kanë kapërcyer humbjen në 3 sete me mirditoret në Rrëshen para disa ditësh në takimin e parë dhe kanë përmbysur gjithçka në takimin e kthimit, të luajtur të premten pasdite në Tiranë.
Takimi i zhvilluar në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Fahrie Hoti” në kryeqytet është fituar nga Tirana me rezultatin 3-1 dhe kështu gjithçka është vendosur nga seti shtesë, i ashtuquajturi “Golden Set” apo “seti i artë”, që është fituar gjithashtu nga vajzat bardheblu. Tirana e ka fituar setin e parë, që ka qenë i luftuar dhe është vendosur në favor të vendaseve në pikët shtesë, 26-24. Skuadra e Gorencës ka marrë edhe setin e dytë, 25-21.
Por ekipi mirditor rikthehet të fitojë setin e 3-të, 25-20, duke krijuar idenë e një hapjeje të takimit. SidoqoftëTirana nuk lëshon në setin e 4-t, duke e fituar atë 25-21 dhe duke e çuar fatin e këtij çifti gjysmëfinal në setin shtesë, që ka zgjatur plot 16 minuta. Vajzat bardheblu e fitojnë atë 15-10 dhe bashkë me të edhe vendin në finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Ndeshja e kthimit të çiftit tjetër gjysmëfinalist, Barleti Volej-Partizani, luhet të dielën pasdite dhe ekipi universitar e ka fituar ndeshjen e parë 3-2.