AlbanianSport.com 30/01/2020 22:05
ASNN – Komisioni i Disiplinës, i mbledhur të enjten në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka marrë disa vendime. Besëlidhja arriti një fitore të madhe në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Partizanit (3-0) dhe tifozët lezhjanë përjetuan një pasdite fantastike. Gjithsesi, thirrjet e tyre “Rama, ik”, i kanë kushtuar 100 mijë lekë gjobë klubit të Kategorisë së Parë.
Me të njëjtën shumë është gjobitur edhe Vllaznia për sjellje të gabuar të tifozëve në ndeshjen e kampionatit kundër Laçit (0-0). Gjyqtari ishte shënjestra e tifozëve shkodranë, të cilët nuk kursyen hedhjen e disa shisheve në fushën e blertë. Zyrtari i Luftëtarit, Artur Danaj nuk u përmbajt në ndeshjen e humbur kundër Tiranës në fundjavë (5-1) dhe është pezulluar me 8 ndeshje.
Edhe klubi gjirokastrit detyrohet të paguajë dëmet e shkaktuara në “Selman Stërmasi” nga lojtarët dhe stafi teknik, teksa diçka e tillë duhet të ndodhë brenda 15 ditëve.
Ja vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës në FSHF, datë 30.01.2020:
- KF Besëlidhja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë. Ky dënim do të zbatohet në bazë të parashikimeve te nenit 116/1/a të KDS.
- Zyrtari i KF Luftëtari, Artur Danaj për ofendim ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të nenit 48/2/a të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
- KF Luftëtari detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara brenda 15-ditëve në stadiumin “Selman Stërmasi” nga lojtarët/stafi përkatës sipas akt konstatimit të personave përgjegjës në stadium.
- KF Vllaznia për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/3/c dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë. Në rast përsëritje KF Vllaznia paralajmërohet se do të jetë objekt i masave të përshkallëzuara sipas KDS.
- KF Oriku detyrohet të dëmshpërblejë brenda afatit prej 15-ditëve dëmtimet e shkaktuara në stadiumin “Elbasan Arena” nga ekipi i KF Oriku sipas akt konstatimit të personave përgjegjës në stadium.
- Ekipi i KF Iliria për dështim në organizimin e ndeshjes dhe sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 63/1/c, Nenit 65/4/c të KDS dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pa spektatorë.
- Zyrtari i KF Turbina Bledar Malaj për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Zyrtari i KF Turbina E. Belshi per sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 48/2/a te KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Pranimin e kërkesës së Lojtarëve të KF Teuta Fabjan Beqja dhe Amer Duka. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtarët vendosen në provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes së shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës denimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.