AlbanianSport.com 30/01/2020 21:10
ASNN – Anulohet veprimtaria madhore e atletikës, ku do të merrte pjesë edhe Luiza Gega. Janë një numër veprimtarish ndërkombëtare sportive, kryesisht ato që do të mbaheshin në Kinë apo afër saj, në futboll, tenis, boks e të tjerë, që janë anuluar. “Viktima” më e fundit sportive e “Koronavirusit” është Kampionati Botëror i Atletikës në Salla të Mbyllura, që ishte planifikuar të mbahej në mars në Nanxhing të Kinës e ku do të merrte pjesë edhe atletja shqiptare, Luiza Gega.
Epidemia vdekjeprurëse e koronavirusit, e cila deri më tani u ka marrë jetën deri më tani mbi 212 personave dhe ka infektuar mbi 7,800 të tjerë, kryesisht në Kinë, por edhe në një dyzinë vendesh të tjera të botës, ka nisur të ndikojë edhe në sport. Kështu, janë një numër veprimtarish ndërkombëtare sportive, kryesisht ato që do të mbaheshin në Kinë apo afër saj, në futboll, tenis, boks e të tjerë, që ishin kryesisht turne kualifikues për në Lojërat Olimpike të gushtit në kryeqytetin e Japonisë Tokios, që janë anuluar.
“Viktima” më e fundit sportive e “Koronavirusit” është Kampionati Botëror i Atletikës në Salla të Mbyllura, që ishte planifikuar të mbahej në mars në Nanxhing të Kinës. Në këtë veprimtari do të merrte pjesë edhe atletja shqiptare, Luiza Gega, e cila do të garonte në disiplinë e 3,000 metrave, si e vetmja sportiste nga Shqipëria e kualifikuar me normë në këtë Botëror.
Por vendimi i marrë së fundmi nga organizmat drejtuar të Federatës Botërore të Atletikës për ta shtyrë këtë kampionat vitin e ardhshëm dhe për ta mbajtur atë po në Nanxhing të Kinës, ka shkaktuar shumë pakënaqësi në mjedisin e këtij sporti. Kjo për shkak se, sikundër për rekordmenen shqiptare, edhe për shumë atletë të tjerë kjo garë ishte një provë e dobishme për Olimpiadën e verës në Tokio, por edhe për shkak se vitin e ardhshëm, në një kalendar të ngjeshur dhe të shkurtër dimëror, do të zhvillohet edhe Botërori, edhe Evropiani i Atletikës në Salla të Mbyllura.
Në një përkim interesant, ky anulim i Botërorit të Nanxhingut vjen afro 14 javë pasi Luiza Gega pati marrë një medalje të bronztë në Lojërat Olimpike Ushtarake, që u mbajtën në fund të tetorit në Kinë, në qytetin e Uuhanit, pikërisht aty ku shpërtheu epidemia e “koronavirusit”.