AlbanianSport.com 29/01/2020 19:55
ASNN – 3 gola në 10 minutat e fundit dhe ato shtesë vulosin fitoren e fierakëve në shtëpi. Apolonia ka dhuruar një nga të papriturat e ndeshjeve të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, pasi skuadra fierake, që militon në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorinë e Parë, ka arritur të mposhtë, madje bindshëm, ekipin e Kategorisë Superiore, Luftëtarin, me shifrat 3-0.
Në fakt, përkundër asaj që sugjeron rezultati, kjo ndeshje ka qenë kryesisht e baraspeshuar, por fati i saj është vendosur në fund. Pjesa e parë e takimit të luajtur në Fier është mbyllur me rrjeta të paprekura, ashtu sikundër do të vijojnë edhe 37 minutat e para të pjesës së dytë. Dhe skuadra e drejtuar nga trajneri kryeqytetas, Artan Merxhushi, do të shpërthejë në 8 minutat e fundit dhe në ato shtesë, duke realizuar plot 3 gola.
Mehmeti do të ngrejë siparin e blicit fierak me golin e shënuar në minutën e 82-të. Vetëm 5 minuta më pas, Zaimaj do dyfishojë epërsinë e myzeqarëve. Dhe atëherë kur Luftëtari po përpiqej të shpëtonte diçka nga kjo ndeshje, Zoga do të përmbyllë një 10-minutësh të vrullshëm për Apoloninë, duke shënuar golin e 3-të të vendasve në minutën e 3-të shtesë. Takimi i kthimit luhet në Gjirokastër pas dy javësh, më 12 shkurt 2020.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: