AlbanianSport.com 26/01/2020 14:55
ASNN – Dinamo ka zbritur sot në fushë përballë Egnatias, ndeshje që u mbyll ashtu siç nisi. Ekipi kryeqytetas pësoi ndryshime të shumta në merkaton e verës, por nuk ia doli ta niste vitin 2020 me 3 pikë. Kështu, Dinamo dhe Egnatia dhurojnë spektakël, por e mbyllin ndeshjen me rrjeta të paprekura.
Ndeshja ishte e fortë, por miqtë nga Rrogozhina u mbrojtën mirë dhe u kthyen në shtëpi të pamposhtur. Një ndeshje e cila dhuroi spektakël, me të dyja ekipet që kërkuan të merrnin fitoren, por nuk ia dolën. Të dyja ekipet kishin disa raste për shënim, me Egnatian që ishte më dominuese në pjesën e parë.
Ndërsa në pjesën e dytë, Dinamo kishte disa raste për të gjetur golin, por nuk u treguan të saktë para portës. Në fund të dyja ekipet u pajtuan me barazimin, i cili për atë që të dyja ekipet dhanë në fushë ishte rezultati më i drejtë. Ndërkohë vazhdon mallkimi i Dinamos ndaj Egnatias, përballë të cilëve nuk njeh fitore që nga viti i largët 2005.
Kjo pikë nuk i vlen shumë bluve kryeqytetas, që vijojnë të renditen në vend të fundit në grupin A të Kategorisë së Parë, teksa Shkumbini është përjashtuar. Dinamo numëron 9 pikë, dy më pak se Veleçiku i Koplikut dhe Tërbuni, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës renditet në vend të 6-të me 15 pikë.