AlbanianSport.com 25/01/2020 17:30
ASNN – Shtanga kuqezi duket se po lë pas 10-vjeçarin e turbullt, falë ndërgjegjësimit të vazhdueshëm. Një nga disiplinat sportive më të suksesshme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, peshëngritja, ka marrë këto ditë të fundit të janarit një lajm të mirë. Për të dytin vit radhazi, të gjithë sportistët kuqezinj që kanë marrë pjesë në veprimtaritë kombëtare, apo ndërkombëtare kanë rezultuar të pastër sa i përket përdorimit të substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Antidopingut.
Në fakt, dëgjojmë shpesh shprehjen se “Kur nuk ka lajme, ky është një lajm i mirë”. Dhe kjo shprehje ka gjetur zbatim edhe në një nga disiplinat sportive në Shqipëri, peshëngritjen e cila në këto ditë të fundit të janarit ka marrë një lajm të mirë. Për të dytin vit radhazi, të gjithë sportistët kuqezinj që kanë marrë pjesë në veprimtaritë kombëtare, apo ndërkombëtare kanë rezultuar të pastër sa i përket përdorimit të substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA).
18 janari ka qenë afati i fundit për mbërritjen e çfarëdolloj njoftimi për rezultimin pozitiv të ndonjë sportisti shqiptar në garat ndërkombëtare dhe, tanimë që ka kaluar thuajse një javë nga ky afat, nuk ka patur asnjëlloj njoftimi nga organizmat ndërkombëtare. Ky kthim në atë që duhet të ishte në fakt, gjendje normale, është një lajm i mirë për shtangën kuqezi, e cila ka përjetuar një 10-vjeçar të shkuar të turbullt sa i përket fenomenit të dopingut.
Rastet e shtangistëve kuqezinj që kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara kanë qenë sa të shpeshta, por edhe aq të larmishme në emra dhe po aq edhe të bujshme, teksa sportistë që fitonin medalje në veprimtaritë ndërkombëtare dhe priteshin si heronj, por vetëm disa javë më pas, mësohej se kishin rezultuar pozitiv për doping. Për këtë arsye, fakti që, për të dytin vit radhazi, peshëngritja shqiptare rezulton e pastër nga kjo dukuri e shëmtuar, është një fakt për t’u përshëndetur.
Kjo periudhë përkon edhe me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, të kryesuar nga Presidenti Theodhor Masllavica, i cili ka bërë luftën kundër dopingut dhe fitimin e medaljeve të pastra, përparësinë nr. 1 të punës së tij dhe të stafit të tij. Dhe deri më tani, kjo ka dhënë fryte, edhe falë ndërgjegjësimit të vazhdueshëm të trajnerëve dhe sportistëve për këtë dukur të dëmshme, por edhe organizimit të herëpashershëm të seminareve me përfaqësues të Federatës Botërore të Peshëngritjes.