AlbanianSport.com 23/01/2020 18:30
ASNN – Tamas Ajan tërhiqet përkohësisht nga posti i Presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes. Tamás Aján është tërhequr nga posti i Presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF) për një periudhë 90-ditore, në pritje të një hetimi mbi akuzat për korrupsion. Ursula Papandrea, Amerikania që kryeson Komisionin e Femrave në IWF dhe është edhe President e Federatës së Peshëngritjes së Shteteve të Bashkuar, ka marrë detyrën e Presidentes së organizmit që qeveris shtangën botërore deri në prill të këtij viti.
Ka zgjatur thuajse një gjysmë shekulli, por, si çdo gjë tjetër, edhe për atë që mund të cilësohet i fundit i drejtuesve “dinosaurë” të federatave botërore sportive, tërheqja ishte e pashmangshme. Kështu, Tamás Aján është tërhequr nga posti i Presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF) për një periudhë 90-ditore, në pritje të një hetimi mbi akuzat për korrupsion. Hungarezi ka qenë në krye të IWF-së që nga vitit 1976, duke shërbyer për 24 vjet si Sekretar i Përgjithshëm i saj dhe, më pas, edhe për 20 vjet si President.
Mandati i 5-të i Ajánit si President mbyllej në maj të vitit të ardhshëm dhe, tanimë në moshë 81 vjeç, ai pati deklaruar se nuk do të kandidonte sërish. Por tanimë ai po tërhiqet mënjanë, duke pritur hetimet mbi akuzat që janë bërë nga një dokumentar i televizionit shtetëror gjerman, ARD, i transmetuar më 5 januar. Ky vendim u mor gjatë një mbledhje maratonë prej 13-orësh të Bordit Ekzekutiv të IWF-së, të mbajtur në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Kjo mbledhje u thir pas transmetimit të dokumentarit në televizionin gjerman, të titulluar, “Dopingu Sekret – Lordi i shtangistëve”, në të cilin ngriheshin akuza për korrupsion, si financiar, ashtu edhe në procedurat e anti-dopingut. Këto akuza janë kundërshtuar fort nga IWF-ja dhe vetë Ajáni ka deklaruar se dokumentari “kishte shkatërruar jetën dhe 50 vitet e punës së tij”. Papandrea do të kryesojë një Komision të Posaçëm Hetimor që do të përpilojë një raport.
Një raport që do t’i paraqitet Bordit Ekzekutiv dhe Kongresit të IWF-së, të parashikuar për t’u mbajtur në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, nga data 11, deri më 13 mars 2020. Megjithatë, duket se largimi i Tamas Ajanit duket një formalitet, e për më tepër, teksa qëndrimi i tij ishte i lidhur edhe me fatin e pjesëmarrjes së peshëngritjes në Lojërat Olimpike, si pasojë e skandaleve të pafundme të dopingut që e kanë tronditur statusin e saj olimpik.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: