AlbanianSport.com 22/01/2020 21:20
ASNN – Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit përgjatë pasdites të së martës, nën drejtimin e presidentit Avni Ponari dhe me praninë e anëtarëve ka zhvilluar mbledhjen e radhës. Në mbledhje është prezantuar materialit për analizën vjetore 2019, është miratuar kalendari i veprimtarive për vitin 2020, është caktuar vendi i zhvillimit të finaleve të Kupës së Shqipërisë, si dhe është prezantuar statusi i ndryshuar si është dhe prezantimin e projektit të shpenzimeve për vitin 2020.
Nga mbledhja është bërë e ditur se veç analizës vjetore të Asambles e cila më 1 shkurt do të zhvillohet në Vlorë, po në këtë qytet do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra.Po kështu është miratuar dhe projekt-kalendari i veprimtarive për vitin 2020. Për vendin e gjysmëfinaleve dhe finales së Kupës së Shqipërisë, më 25 janar, në ora 12:00, në zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit do të hidhet short me kërkesat e mbërritura në institucionin më të lartë të koshit shqiptar.
Gjithçka do të ndodhë pas përfundimit të raundit çerekfinal, që do të luhet më 24 janar 2020. Po kështu me short do të përcaktohen dhe gjysmëfinalet, me skemën 1-4 dhe 2-3, duke ruajtur renditjen e sezonit 2018-2019. Ndërkaq Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit ka vendosur që për femra gjysmëfinalet të luhen më 31 janar dhe finalja më 1 shkurt, kurse për meshkuj gjysmëfinalet më 3 shkurt dhe finalja më 4 shkurt 2020.