AlbanianSport.com 17/01/2020 23:00
ASNN – Në fakt është vetëm një fitore, që si gjithë të tjerat, vlen vetëm dy pikë, por është një fitore ndaj kryesueses, e për më tepër, një rezultat që mund të shënojë një pikë kthese në Superligën e Kosovës në basketboll për meshkuj. Sepse në një atmosferë të zjarrtë në Palestrën “Karagaçi”, skuadra vendase ka vulosur rikthimin e fuqishëm në parketin e Kosovës duke mposhtur Prishtinën në derbin e zjarrtë.
Peja e rikthyer e ka fituar të dielën në mbrëmje përballjen me Prishtinën, të luajtur në kuadër të javës së 21-të të Superligës së Kosovës, me shifrat 82-76, në një ndeshje që u bë dramatike në minutat e fundit edhe pse vendasit ishin në epërsi të vazhdueshme që nga fillimi ndaj kryeqytetasve. Gjysma e parë u takoi plotësisht pejanëve, që arritën t’i mbyllnin 20 minutat e parë të takimit me një epërsi prej 19 pikësh, duke shkuar në pushimin e madh me shifrat 51-32.
Në dy pjesët e tjera, “Plisat” u ringjallën, duke i fituar të dyja, por, kjo nuk u mjaftoi kryeqytetasve për të përmbysur rezultatin. Ylli i Pejës dhe ish-titullari i Prishtinës, Dardan Berisha, realizoi 26 pikë në këtë ndeshje, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi 15 pikë e 12 topa të fituar në tabelë. Ndërsa tek Prishtina u dallua Xhordan Xhonsoni, me 26 pikë të shënuara.
Sidoqoftë, Prishtina mbetet kryesuese e renditjes, me 33 pikë, aq sa ka Rahoveci. Peja ngjitet ndërkohë në vendin e 5-të, me 28 pikë, dy më pak se Bashkimi që është i katërti. Në vend të 3-të renditet Ylli, me 32 pikë.