AlbanianSport.com 17/01/2020 22:05
ASNN – Eroll Salihu konfirmon një mysafir të veçantë në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka zbuluar se presidenti i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, Aleksandër Çeferin, do te jetë i pranishëm në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, Maqedoni e Veriut-Kosovë.
Kjo ndeshje do të luhet më 26 mars 2020 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup. “Presidenti Aleksander Çeferin ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në këtë ndeshje, – ka thënë numri 2 i organizmit që qeveris futbollin e Kosovës, i ftuar në emisionin “Arena Sportive” në Radio-Televizionin e Kosovës (RTK). Kjo sfidë konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, por besoj e shpresoj se do të kalojë pa probleme.”
Siç dihet, fituesja e ndeshjes Maqedoni e Veriut-Kosovë do të përballet me fituesen e gjysmëfinales tjetër Bjellorusi-Gjerogji, në një duel final, ku fituesja do ta sigurojë një biletë për fazën finale të Kampionatit Evropian “Euro 2020”. Për këtë arsye, Kosova është vetëm dy hapa larg kësaj arritjeje historike.