Marrë nga TV Klan 17/01/2020 20:15
ASNN – Mbahet gjallë vetëm nga pasioni i pak sportistëve. Në të kaluarën hedhja e çekiçit ishte një nga disiplinat kryesore të atletikës që përfaqësohej edhe në garat ndërkombëtare. Sot janë të paktë ata që e zgjedhin. Trajneri Vaso Selenica, i cili dikur ka stërvitur me dhjetëra sportistë thotë se shkaqet janë të shumta.
“Meshkuj nuk ka në hedhje çekiçi, – thotë ai. – Për femra ka mbetur rekordmenia Emiliana Ciko dhe këto vajzat e vogla. Terreni nuk është i mirë, kafazet janë vjedhur kështu që edhe sigurimi im nuk është. Po të vazhdojë kështu fundoset edhe kjo disiplinë e atletikës siç janë fundosur shkopi dhe disa gara të tjera.”
Në stadiume nuk mund të praktikohet ky sport, pasi dëmtohet sistemi i vaditjes. Për t’u stërvitur ka mbetur vetëm kjo fushë pranë parkut të liqenit artificial. Emiliana Ciko ka shumë vite që merret me këtë disiplinë tregon problemet që has çdo ditë. “Vazhdoj akoma ta kem si pasion, deri sa të të kem fuqi nuk do ta le”, – thotë ajo.
“Një vend ku të lemë veglat nuk kemi e të marrësh çekiçët në shtëpi dhe i sjellim është pak absurde”, – shton kampionia e kësaj disipline. Këto vajza përpiqen të çojnë më tej këtë disiplinë pavarësisht vështirësive. “Kam marrë shembull nga mësuesja që dëshiron të më aktivizojë dhe është një sport shumë i bukur”, – thotë njëra prej tyre.
Duket se në hedhjen e çekiçit ka mbetur vetëm pasioni dhe asgjë tjetër.