AlbanianSport.com 14/01/2020 16:40
ASNN – Cilësia e keqe e ajrit, pezullohen seancat e para stërvitore të “Australian Open”. Zjarret masive anembanë Australisë, që vazhdojnë prej muajsh, kanë shkaktuar të paktën 27 të vdekur dhe kanë shkatërruar më tepër se 2,000 shtëpi, ndërsa tymi është përhapur edhe në qytetet e mëdha si Melbërni. Ndonëse seanca stërvitore të të martës janë pezulluar për shkak të cilësisë së keqe të ajrit, Kreu i Federatës Australiane të Tenisit ka deklaruar se nuk kishte të ngjarë që Turneu i Hapur i Australisë të shtyhej.
Ndotja shqetësuese dhe e helmët e ajrit për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë pyjet ka bërë që të pezullohen të gjitha seancat stërvitore të së martës në “Australian Open” në Melbërn, në turneun e parë madhor të këtij viti në tenis. Aleksander Zverevi dhe David Gofë pritet të zbrisnin të parët në fushat e “Melbërn Parkut”, të ndjekur nga numri një i botës, Rafael Nadal. Stefanos Tsitsipas, Koko Gof dhe Karolina Pliskova gjithashtu kishin planifikuar seanca stërvitore në prag të këtij turneu, që nis të hënën e ardhshme.
“Seancat stërvitore u pezulluan përkohësisht në mëngjes, për shkak të cilësisë së keqe të ajrit”, – bënë të ditur organizatorët në një njoftim, ndërkohë që ndeshjet eliminatore pritet të vijojnë sipas kalendarit. “Kushtet në kompleksin sportiv po përmirësohen dhe po monitorohen vazhdimisht”, – vijon njoftimi në fjalë, që shpjegon se vendimet e mëtejshme do të merren duke përdorur të dhënat e grumbulluara dhe duke u këshilluar me një ekip mjekësor të Byrosë se Meteorologjisë.
“Si gjithmonë, shëndeti dhe siguria e lojtarëve tanë, e stafit dhe e sportdashësve mbetet përparësia jonë numër 1”, – përfundon njoftimi i organizatorëve. Zjarret masive anembanë Australisë, që vazhdojnë prej muajsh, kanë shkaktuar të paktën 27 të vdekur dhe kanë shkatërruar më tepër se 2,000 shtëpi, ndërsa tymi është përhapur edhe në qytetet e mëdha si Melbërni. Kreu i Federatës Australiane të Tenisit, Kraig Tajli, deklaroi javën e shkuar se nuk kishte të ngjarë që Turneu i hapur i Australisë të shtyhej.
Ai theksoi se moti pritet të përmirësohet dhe se “Melbërn Park” ka 3 stadiume të mbuluar, por edhe 8 fusha të tjera të mbyllura. Ndërkaq, yjet e sportit, përfshi lojtarët kryesorë të tenisit, kanë reaguar ndaj krizës së shkaktuar nga zjarret, duke dhuruar shuma të ndryshme, ndërsa të mërkurën do të zhvillohen edhe një sërë ndeshjesh bamirësie, ku spikatin emrat e Rozher Federerit, Serena Uilliamsit dhe Rafael Nadalit.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: