AlbanianSport.com 13/01/2020 21:10
ASNN – Japonezi nënshkruan një kontratë të re, për sezonin e tij të 35-të si profesionist. Mosha është thjesht një numër dhe dëshmi e gjallë e kësaj shprehjeje është sulmuesi japonez, Kazujoshi Miura, i cili, edhe plot 52 vjeç, sapo ka nënshkruar një kontratë për të 35-tin sezon të tij si profesionist. I mbiquajtur “Mbreti Kazu” ka nënshkruar të shtunën një kontratë të re me FC Jokohamën, duke e zgjatur kështu bashkëpunimin me klubin në fjalë edhe për 12 muaj të tjerë.
Marrëveshja njëvjeçare e nënshkruar në fundjavë nënkupton se Miura, i cili mbush 53 vjeç më 26 shkurt 2020, do të luajë sezonin e tij të 35-të si lojtar profesionist. Miura njihet si futbollisti më i vjetër në moshë që ka shënuar një gol në nivelin profesionist. Vitin e shkuara, ai luajti në vetëm 3 ndeshje dhe nuk arriti të shënonte gol, por e thelloi rekordin e tij si lojtari më vjetër në moshë në nivelin më të lartë të kampionatit japonez të futbollit, J-Ligë.
“Shpresoj ta shijoj të luajturit futboll dhe të jem mirënjohës teksa përpiqem ta ndihmoj sadopak klubin që mbijetojë në J-Ligë”, – tha ai pas nënshkrimit të kontratës. Miura iu bashkua Jokohamës në 2005-ën dhe, në mars të 2017-ës, u bë futbollisti më i vjetër që luajti në një ndeshje të futbollit profesionist, në moshën 50 vjeç e 6 ditë, duke tërhequr vëmendjen e mediave botërore, pasi theu rekordin e legjendës së topkëmbës angleze, Stanli Methjus.
Në karrierën e tij, Miura ka luajtur për klubin brazilian të Santosit dhe në Itali me Xhenoan, ndërsa e ka veshur në 89 ndeshje fanellën e përfaqësueses së Japonisë, duke shënuar 55 gola.