AlbanianSport.com 12/01/2020 23:00
ASNN – Si në grupin A, ashtu edhe në grupin B, janë të shumta hyrje-daljet nëpër 20 skuadrat e tyre. Ndryshe nga Kategoria Superiore, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria e Parë, ka qenë më aktive në merkaton e janarit. Lushnja është një nga skuadrat më aktive në këtë merkato janari dhe lëvizjet në këtë aspekt kanë qenë me dy kahe. Kështu, ka mbërritur në klubin lushnjar Klejdi Branica, Emiljan Lundraxhiu dhe Brunild Pepa, ndërkohë janë larguar Ibrahimllari, Allkanjari, Dervishi dhe Denis Brahimaj.
Tek rivalja tjetër myzeqare, Apolonia, nga e cila ka pasur shumë firo ditët e fundit, përforcimi i parë në merkaton e dimrit pritet të jetë mbrojtësi Ardi Guri. Në provë janë edhe dy lojtarë të rinj vlonjatë, Gersi Diamanti dhe Mateo Qarri, të cilët kanë ardhur ta kërkojnë fatin e tyre në Fier. Ndërkaq, Besa ka kompletuar edhe goditjen e dytë në merkato dhe, pasi më parë kishin firmosur me Isak Kamaranë, kanë firmosur edhe me 19-vjeçarin Bledar Lila, i cili më parë ka luajtur për Shkumbinin, teksa tashmë është përjashtuar nga Kategoria e Parë.
Po në grupin B, apo grupin e Jugut, tek Devolli janë afruar dy futbollistë maqedonas për t’u testuar. Kristjan dhe Aleks i kanë lënë përshtypje pozitive stafit teknik të devollinjve dhe mbetet vetëm konfirmimi zyrtar nga drejtuesit e klubit që të dy lojtarët e vendit fqinj të veshin fanelën e skuadrës së ngjitur këtë vit në Kategorinë e Parë. Ndërkaq, Elbasani në Grupin B dhe Korabi në grupin A, janë dy skuadra që deri tani kanë bërë më pak lëvizje në merkaton e dimrit. Tek elbasanasit nuk ka afrime apo largime, kurse te dibranët janë vetëm dy largime.
Duke mbetur në grupin e Veriut, Kastrioti ka bërë të ditur mbylljen e bashkëpunimit me futbollistet Brunild Pepa dhe Florian Daci, ndërsa jnë plot 6 futbollistë që prej ditësh janë stërvitur me krutanët dhe po provohen në ndeshje miqësore. Mes lojtarëve që po provohen janë edhe dy kamerunas dhe një nigerian, por edhe disa lojtarë të rinj shqiptarë. Krutanët ende nuk kanë pasur ndonjë afrim zyrtar, ndërsa pritet të afrohet i riu Indrit Prodani, një lojtar që ka dalë nga Laçi. Ai po stërvitet me Kastriotin dhe pritet që ditët në vijim palët të vendosin për zyrtarizimin.
Ndërsa për rikthimin e mesfushorit Ersil Ymeraj, një dëshirë e stafit teknik të Kastriotit, ende nuk ka ndonjë zhvillim konkret. Ndërkohë, pas dy futbollistëve serbë që erdhën të enjten, Besëlidhja e ka mbyllur të shtunën merkaton e dimrit, pasi me skuadrën lezhjane është bashkuar edhe mbrojtësi shkodran Samet Ruqi, i cili luan në krahun e majtë. Tek Iliria e Fushë-Krujës, aktualisht, i vetmi lojtar i larguar zyrtarisht është mesfushori Mikel Brahilika, por në stërvitje nuk kanë qenë të pranishëm edhe Rimal Haxhiu, Klejdi Jazaj e Ardi Guri.
Nga ana tjetër, afrimi i vetëm që fushë-krujasit kanë bërë, është ai i Ded Nokës, i cili vjen nga të rinjtë e Partizanit. Sa i përket Dinamos, Klajdi Kuka është zyrtarisht lojtari më i ri i bluve. Gardiani 29-vjeçar i portës i është bashkuar prej ditësh klubit kryeqytetas, ndërkohë që ka ardhur edhe prezantimi nëpërmjet faqes zyrtare. Drejtuesit dinamovitë bëjnë me dije se merkato do të vazhdojë dhe po punohet për të sjellë në kryeqytet dy të rinj nga klube të rëndësishme të Serisë A. Bëhet fjalë për sulmuesin N’Diaje, por edhe për mbrojtësin 22-vjeçar, Kristiano Dovidio, i cili është rritur tek ekipet zinxhir të Lacios.