AlbanianSport.com 01.12.2014 17:40
ASNN – Në përfundim të ndeshjes me Ilirinë, ndihmëstrajneri i Besëlidhjes, Lani, për gazetat sportive të ditës, do të deklaronte: “Jemi të gëzuar me trepikëshin, ndërsa ishte një fitore me vlera të mëdha në këtë ndeshje të vështirë jashtë fushe, në Fushë-Krujë. Vazhdojmë të jemi në rrugë të mbarë në kampionat, ndërsa dora e presidentit Ndoka është mjaft domethënëse për ekipin tonë.”
“Ai ka luajtur fort me përforcimet cilësore në ekip, – ka vijuar ndihmësi i Sinan Bardhit. -Këtë fitore me Ilirinë dua t’ia dedikoj tifozëve tanë, sidomos “ultrasve” të cilët na ndodhen pranë edhe kur luajmë në fusha të vështira siç ishte kjo ndaj Ilirisë në Fushë-Krujë. Tifozët tanë kanë sjellë një qëndrim të ri, që duket si në ndodhjen e tyre në tribunë, ashtu dhe në marrëdhëniet e ndërtuara me lojtarët.”
Ndërkohë tifozët lezhjanë, të udhëhequr nga Aurel Loci dhe Valentin Jaku, kanë qenë të shumtë në Fushë-Krujë, ndërsa kanë arritur në një numër prej 300 mbështetësish për Besëlidhjen. Në përfundim të ndeshjes, por dhe nga gëzimi i kësaj fitoreje të vështirë, ata janë kthyer në Lezhë me brohoritje.