AlbanianSport.com 09/01/2020 23:55
ASNN – Miqësorja e së premtes, debutimi i trajnerit Sormanit me kryeqytetasit, drejtpërdrejt nga Antalia në RTSH Sport (13:30). Pesë prej skuadrave kryesore të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit janë zhvendosur në Antalia të Turqisë, atje ku, duke përfituar nga klima e butë mesdhetare, po zhvillojnë fazën përgatitore dimërore në përgatitje për gjysmën e dytë të sezonit. Njëra prej tyre është edhe Partizani, tanimë i drejtuar nga trajneri italian Adolfo Sormani.
Dhe të premten pasdreke, italiani dhe të kuqtë e tij do të kenë të parën sprovë serioze, teksa do të përballen në një ndeshje miqësore me Trabzonsporin. E ashtu sikundër me ndeshjen e së mërkurës, ku Tirana u mund 1-2 në miqësoren e parë në tokën turke me Alaniasporin, edhe takimi i së premtes midis të kuqve kryeqytetas dhe turqve të Trabzonsporit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 13:30 me orën e Tiranës.
Interesant është fakti se në këtë miqësore do të jenë përballë njëri-tjetrit dy vëllezërit Ekuban, teksa i vogli, 20-vjeçar Xhozef, luan me Partizanin, ndërsa i madhi, 25-vjeçari Kaleb militon në radhët e Trabzonsporit. Në fakt, Kaleb Ekubani ka spikatur para 3 sezonesh me Partizanin, duke shënuar 17 gola në 34 ndeshje me të kuqtë, ndërsa miqësorja e së premtes do ta ribashkojë atë edhe me trajnerin Sormani, i cili e kishte ganezin në ekip gjatë përvojës së tij të parë 4-mujore në stolin e të kuqve në gjysmën e dytë të 2016-ës.