AlbanianSport.com 09/01/2020 22:05
ASNN – Shkodranët zhvillojnë dy seanca stërvitore të enjten, në provë edhe një maqedonas. Skuadra e Vllaznisë ka zhvilluar paraditen e së enjtes seancën e dytë stërvitore në Ohër, atje ku po zhvillon edhe fazën përgatitore dimërore në përgatitje për pjesën e dytë të sezonit. 21 futbollistët që janë të grumbulluar kanë qenë në dispozicion të stafit teknik për të aplikuar programin e hartuar prej tij.
Dhe kjo seancë, kryesisht e përqendruar në aspektin fizik, ka zgjatur rreth dy orë. Ajo çka është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që gjendja e të gjithë lojtarëve është e mirë dhe asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur probleme dhe janë duke i përballuar si duhet ngarkesat stërvitore. Ndërkohë, pasdite, ekipi do të zhvillojë edhe seancën e dytë të së enjtes, e cila ka qenë e shoqëruar edhe me palestër.
Ekipi i Vllaznisë e ka zhvilluar të mërkurën pasdite të parën seancë stërvitore në Ohër. Stafi teknik i ka kushtuar më shumë rëndësi përgatitjes fizike të futbollistëve ndërkohë që duhet thënë se me kontigjentin e lojtarëve që është nisur mëngjesin e së mërkurës nga Shkodra, është bashkuar edhe një futbollist tjetër. Bëhet fjalë sulmuesin nga Maqedonia e Veriut, Simeon Hristov.
27-vjeçari që në sezonin e fundit ka luajtur Fk Borec Veles, ka nisur kontaktet me drejtuesit e klubit dhe në ditët në vijim dhe pasi të jetë dhënë edhe miratimi i stafit teknik, do të ulet e të bisedojë me drejtuesit e klubit për kushtet e kontratës dhe detaje të tjera.