AlbanianSport.com 09/01/2020 20:15
ASNN – Mbërrin edhe Kobina, trajneri Egbo, i kënaqur përtej humbjes në miqësore. Më në fund, edhe Tirana, e cila fazën përgatitore dimërore po e zhvillon në Antalia të Turqisë, e plotësoi grupin e lojtarëve. Kështu, i vetmi lojtar, i cili nuk ishte bashkuar me skuadrën, ishte Uinful Kobina. Edhe ky i fundit më në fund ka marrë vizën turke dhe ka udhëtuar drejt Antalias dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Egbo.
Bardheblutë nuk kanë mungesa të tjera, veç Ismael Dungës, i cili është operuar dhe po kryen riaftësimin. Jashtë është edhe Andi Lila, i cili me të gjitha gjasat e ka mbyllur me Tiranën, sepse akoma nuk është bërë gati për të qenë në fushën e stërvitjes. Lila erdhi me bujë te bardheblutë, por rezulton që deri tani nuk ia ka dalë të riaftësohet plotësisht dhe të jetë në fushë me Tiranën.
Ndërkaq, bardheblutë u mundën 1-2 të mërkurën në miqësoren e parë në Antalia përballë Alaniasporit. Pas përfundimit të takimit, trajneri Emanuel Egbo u shpreh i kënaqur nga loja që skuadra zhvilloi, pavarësisht rezultatit. Sipas Egbosë, kjo ishte ndeshja e parë pas tri seancave stërvitore, duke marrë sinjale pozitive nga gjendja fizike e skuadrës.