AlbanianSport.com 07/01/2020 20:30
ASNN – Piloti nga Afrika e Jugut, Giniel De Viliers ka fituar etapën e dytë të Rellit të Dakarit, ndërsa ish-kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso, e ndërpreu garën pas dy orë e gjysmë, për shkak të një problemi në timon. De Viliersi, i cili humbi 23 minuta në etapën e parë, i bëri 401 km e të dytës në mënyrë të shkëlqyer, nga të cilat 367 ishin një speciale midis Al-Uaxhhit dhe Neumit.
Shumë pilotë patën probleme gjatë garës dhe De Viliersi shfrytëzoi një gabim nga drejtuesi i etapës së gjatë, Xhezid Al-Raxhhit, për të udhëhequr garën me “Toyota”-n e tij e duke e mbyllur etapën e dytë në 3 orë, 37 minuta e 20 sekonda. 47-vjeçari kaloi vijën e finishit përpara Orlando Terranovas, i cili siqodoftë kryeson tani renditjen e përgjithshme.
Argjentinasi, i cili ishte i 6-ti në etapën e parë, është gati 5 minuta para Karlos Sainzit, shokut të tij të skuadrës. Kampioni në fuqi, Naser Al-Atijah, e mbylli garën në vendin e 5-të dhe është 6 minuta larg kryesuesit, ndërsa 13-herë fituesi i Dakarit, Stefan Peterhansel është 13 minuta larg. Alonso pësoi problemin e tij të parë në këtë garë, kur iu desh të ndalej për shkak të një dëmtimi në timon.
Ai ishte në vendin e katërt pas 100 kilometrave speciale kur ndodhi problemi. Spanjolli nuk kishte mundësi tjetër, përveç se të priste ekipin e tij të ndihmës para se të mund të rifillonte. Sidoqoftë, shanset e tij për të arritur në podium tashmë duken të pamundura. Në kategorinë e motorëve, Ros Dega fitoi etapën e tij të parë në Dakar pas një udhëtimi të kontrolluar në mënyrë të përsosur.
Etapa e tretë është një udhëtim rreth 489 km i cili fillon dhe mbaron në Neum.