AlbanianSport.com 27/12/2019 20:25
ASNN – Reagojnë peqinasit: I padrejtë ndëshkimi kolektiv për shkak të një individi të vetëm. Nuk ka falje për Shkumbinin. Kështu, Komisioni i Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka lënë të premten në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës për përjashtimin e skuadrës peqinase nga ky sezon i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe zbritjen një Kategori më poshtë.
Ndërkaq, duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, përfaqësuesit e klubit të Shkumbinit e kanë cilësuar këtë një vendim të padrejtë. Komisioni i Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka lënë në fuqi vendimin Komisionit të Disiplinës për përjashtimin e Shkumbinit nga ky sezon i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kështu, dhuna në ndeshjen ndaj Dinamos i ka kushtuar kështu shtrenjtë Shkumbinit. Në vendimin e marrë më 19 dhjetor nga Disiplina, skuadra peqinase është dënuar me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonin 2019-2020, si dhe me gjobë në masën 1.000.000 lekë. Po kështu, Shkumbini zbret në një kategori më të ulët, në Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Ashtu sikundër pritej edhe Apeli e ka lënë në fuqi këtë vendim dhe e vetmja instancë që mund ta përmbysë këtë vendim është Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Lidhur me këtë vendim të Apelit, si administratori i klubit, Lorenc Hasbajrami, ashtu edhe trajneri Sokol Branica, e kanë cilësuar këtë vendim të padrejtë.
Duke folur nëpërmjet linjës telefonike për Rrjetin e Radio-Televizonit Shqiptar, si Hasbajrami, ashtu edhe Branica kanë veçuar faktin se po dënohet një ekip dhe një qytet i tërë për një individ të vetëm, çka nuk është në përputhje me ligjin miratuar së fundmi. Hasbajrami ka pohuar se gjasat që Shkumbini të shkojë në KAS-in e Lozanës, janë të pakta.