AlbanianSport.com 12/11/2019 23:55
ASNN – Për Horhe Lorencon, basti kur erdhi te “Honda”, nuk ishte vetëm se do të përballej me pilotin më të fortë në Moto GP. Por edhe se do të kishte një tjetër sfidë, atë në garazhdin japonez, kur do t’i duhej të merrej me një motor krejtësisht të panjohur për të dhe tepër agresiv. Vendi i 11-të në Lë Mans deri më tani ka qenë vendi më i mirë që ka fituar 5 herë “kampioni i botës”, në një sezon me më shumë hije sesa dritë, gjithnjë nëse ka pasur ndonjë.
2019-ta po mbyllet gradualisht në errësirë për Lorencon, në një kohë që piloti tjetër i të njëjtit garazhd, është krejt e kundërta e tij. E kjo gjë e ka shtangur shumë edhe Mark Markezin. “Momenti që po kalon Horheja, është shumë befasues për mua, për të dhe për ekipin”, – thotë “kampioni i botës”. Pasi ka fituar 5 tituj, 3 prej të cilëve në nivelin më të lartë të motorëve, Márkezit i duket e pabesueshme që një “kampion” është në këtë situatë dhe është i drejtpërdrejtë kur flet për të ardhmen e Lorencos.
“Unë nuk e imagjinoj dot, ta shoh atë edhe sezonin tjetër, në këtë situatë”, – ka thënë spanjolli për bashkatdhetarin e tij. Në fakt as vetë Horheja nuk e imagjinonte atë pas dëmtimit të tij në Asen. Por tani, kur të gjithë prisnin që ai të dorëzohej, Lorenco ka ndryshuar mendje. Ai do të vazhdojë, do të provojë, tani po punon për të gjetur një zgjidhje. Horhe Lorenco dëshiron të provojë përsëri tek “Honda”. Por a dëshiron të njëjtën gjë skuadra japoneze…? Kjo mbetet për t’u parë.