AlbanianSport.com 12/11/2019 19:20
ASNN – Bilanci flet për kuqezinjtë, por forma e përfaqësueses së Principatës së Pirenejve është në rritje. Takimi i 14 nëntorit në “Elbasan Arena” i Shqipërisë me përfaqësuesen e Principatës së vogël majë Pirenejve, do të jetë i 5-ti midis dy skuadrave, por vetëm i dyti në kuadër të një turne zyrtar, siç janë Eliminatoret e “Euro 2020”. Shqipëria vjen në përballjen e 5-të me Andorrën pas 3 fitoreve dhe një humbjeje në 4 takimet e mëparshme, ku ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 2. Shqipëria përballet në takimin e radhës me Andorrën, në një duel ku historia flet në favor të kuqezinjve.
Në fakt, takimi i 14 nëntorit në “Elbasan Arena” me përfaqësuesen e Principatës së vogël majë Pirenejve, do të jetë i 5-ti midis dy skuadrave, por vetëm i dyti në kuadër të një turne zyrtar, siç janë Eliminatoret e “Euro 2020”. Historia e përballjeve midis dy përfaqësuese të cilat dikur i përkisnin grupit të skuadrave që mbanin zakonisht vendin e fundit të renditjes nis me fitoren 3-0 të kuqezinjve në shkurt të vitit 2000, në Turneun “Rothmans”, që u zhvillua në Maltë.
Dy vjet më vonë do të vinte edhe e vetmja fitore e Andorrës ndaj Shqipërisë, 2-0 në fushën e vet në një takim miqësor, që i kushtoi Sulejman Demollarit shkarkimin nga detyra e trajnerit të Kombëtares. Shqipëria rikthehet 8 vjet më vonë të luajë një miqësore me Principatën e Pirenejve, duke fituar minimalisht në fushë të vet në qershor të 2010-ës. Ndërkaq, 9 vjet më vonë do të vijë edhe përballja e parë zyrtare, në kuadër të grupit H të Eliminatoreve të Evropianit të 2020-ës, ku kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri i përkohshëm, Ervin Bulku, fituan 3-0 në fushë të huaj.
Kësisoj, Shqipëria vjen në përballjen e 5-të pas 3 fitoreve dhe një humbjeje në 4 takimet e mëparshme, ku ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 2. Të dy ekipet janë skualifikuar sa u përket gjasave për të qenë në fazën finale të turneut kontinental vitin e ardhshëm, por Shqipëria synon të kapë vendin e 3-të të renditjes, ndërsa Andorra synon t’i shtojë pikë asaj fitoreje të vetme që ka arritur ndaj Moldavisë në këto eliminatore, ku duhet theksuar se ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar plot 16, përkundër 14 golave të shënuar dhe 10 të pësuar nga kuqezinjtë.
Megjithatë, duke nisur nga java e parë e shtatorit, kur e bëri Turqinë të vuajë për një fitore minimale në Turqi, Andorra ka bërë një paraqitje për t’u përgëzuar si në humbjen 0-3 në Francë, ashtu edhe në fitoren minimale në shtëpi me Moldavinë, por edhe më humbjen 0-2 në Islandë. Jo më kot, edhe trajneri Edi Reja ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra për ndeshjen e së enjtes, për të shmangur ndonjë të papritur të pakëndshme.