AlbanianSport.com 12/11/2019 13:50
ASNN – “Renoja” (Renault) mund të mos jetë më pjesë e Formula 1, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Edhe pse skuadra dhe drejtuesit e FIA-s kanë bërë një marrëveshje për të vazhduar deri në 2020, duket se drejtuesit e “Renault” mund të largohen që pas garës së Abu Dhabit, e fundit e Botërorit 2019. Kështu pra, në Abu Dhabi mund të jetë gara e fundit e kompanisë automobilistike në F1.
“Auto Bild” thotë se ky skenar ishte pika e madhe e debatit midis FIA dhe “Liberty Media”-s, pronares së Formula 1, në një takim që ata zhvilluan në Ostin. Këtë vit, Jas Marina do të presë Çmimin e Madh të Abu Dhabit, testi i fundit i Botërorit 2019 në Formula 1, që ka kurorëzuar tashmë Ljuis Hemiltonin dhe “Mercedes”-in si “kampion bote”, përkatësisht për pilotë dhe për konstruktorë.
Në këtë cirkuit, makinat do të provojnë edhe gomat “Pirelli 2020”, e më pas do të mbyllen në garazhet përkatëse për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Një veprim që mund të rezultojë përfundimtar në rastin e “Renault”. Sipas “Auto Bild”, francezët mund të mos presin që pakti i ri “Concord” të hyjë në fuqi, por të largohen nga kampionati në fund të vitit.
Një vendim që do të ekzekutohej nga Klotildë Delbo’, drejtorja e re ekzekutive e përkohshme, e cili është promovuar personalisht nga presidenti francez, Emanuel Makron, në përpjekje për t’i dhënë fund periudhës së mëparshme të Karlos Ghosnit, të arrestuar në Japoni për krime ekonomike. Një skenar tragjik që do të linte Daniel Riçiardon dhe Esteban Okon pa makina në vitin 2020.