AlbanianSport.com 08/10/2019 18:15
ASNN – Një vështrim i shpejtë mbi pistën, tifozët dhe historinë e garës japoneze. Formula 1 bëhet gati për garën e radhës, atë të Çmimit të Madh të Japonisë. Siç dihet, Botërori i Formulës 1 po vjen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Pas një gare në një destinacionet më të reja të Formulës 1 si Rusia, tanimë është koha për t’u zhvendosur në një prej destinacioneve më të vjetra dhe më historike, siç është Çmimi i Madh i Japonisë. Por cilat janë gjërat që pëlqejmë më shumë tek pista e Suzukës?
Natyrisht, është ai që quhet Sektori i parë, që është padyshim një nga pjesët më të përshtatshme për të parë një garë në Formula 1. Një zbritje tatëpjetë me shpejtësi të madhe, pastaj një kthesë e djathtë, pastaj prapë djathtas dhe pastaj një malore që gjarpëron sa majtas-djathtas. Ndryshimi i menjëhershëm i drejtimit, i ndërthurur me uljet dhe ngritjet e terrenit, japin mundësinë që të vihet në provë i gjithë potenciali motorik dhe aerodinamik i makinës dhe pilotët ndjejnë mirëfillimi mbi lëkurë forcën e rëndesës dhe atë të qendërikjes.
Në këtë sektor, hapësira për të gabuar është e vogël, pasi pista relativisht e ngushtë është rrethuar nga bari dhe zhavorri, duke qenë kështu një sprovë për aftësitë e pilotit. Një tjetër aspekt i jashtëzakonshëm i garës së Suzukës janë padyshim tifozët japonezë, të cilët janë padyshim ndër më të veçantët në botë. Ata e mbushin gjithë kompleksin gjatë ditës së garave, madje edhe tribuna kryesore është plot edhe ditën e enjte, pasi tifozët ndjekin me sy edhe skuadrat që përgatitin garazhet e tyre për garën, por edhe makinat dhe pilotët.
Është e kotë të përmendim këtu zbukurimet e kapelave apo suveniret e larmishme që ata sjellin me vete për të ndjekur garën. E veçanta tjetër është se Suzuka është e mbushur me histori, që nga ai edicion i parë i 1987-ës, pasi zëvendësoi Fuxhin, që ishte sht[pia e Çmimit të Madh të Japonisë gjatë viteve 1970-të. Dhe duke qenë se vendi i saj në kalendar është drejt fundit, kjo pistë ka qenë skena e disa gavare që kanë vendosur titullin, por edhe kanë shkaktuar polemika, ku padyshim spikatin dy përplasjet radhazi të Ajrton Senës dhe Alen Prostit në 1989-ën dhe 1990-ën.
Duhet kujtuar se 5 garat e para në Suzuka vendosën titullin, ashtu siç bëri për Dejmon Hillin në 1996-ën, Mika Hakinenin në 1999-ën, Majkëll Shumakerin në 2000-shin dhe 2003-shin dhe Sebastian Fetelin në 2011-ën.