AlbanianSport.com 05/10/2019 21:15
ASNN – Mishel Platini do të rikthehet në botën e futbollit. Ish-presidentit të UEFA-s i përfundon të hënën koha e pezullimit prej 4 vitesh, gjë që i jep atij mundësinë për t’u marrë sërish me sportin e tij të dashur. Ai u dënua për një pagesë që mori nga Blater si dhe për korrupsion në dhënien e të drejtës Katarit për zhvillimin atje të Botërorit 2022,. Hetimet për akuzën e dytë vazhdojnë. Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini është më në fund i lirë të rikthehet në futboll.
Dënimi i tij 4-vjeçar, për shkeljen e etikës, përfundon javën tjetër, por hetimi për korrupsion në lidhje me Botërorin e 2022-shit në Katar, vazhdon. Ish-kapiteni dhe trajneri i përfaqësueses së Francës, ishte një nga administratorët më të spikatur të futbollit kur u zgjodh president i UEFA-s në 2007. Fituesi i 3 “Topave të Artë”, Platini pritej të pasonte Sep Blaterin si president i FIFA-s në 2016-ën, por kjo gjë nuk ndodhi pas skandalit të korrupsionit në të cilin ai u përfshi.
Në qershor të këtij viti Platini u mor në pyetje nga policia franceze antikorrupsion duke hetuar mbi votimin e bërë në vitin 2010 për dhënien Katarit të Botërorit 2022. Sipas revistës “France Football”, në nëntor 2010, në Pallatin “Elize” në Paris, u zhvillua një “takim sekret, midis ish presidentit francez, Nikolas Sarkozi, princit të atëhershëm të Katarit (tani Emir) Tamim bin Hamad al-Thani, dhe Platini, i cili në atë kohë ishte edhe presidenti i UEFA-s dhe zëvendëspresident i FIFA-s.
Pak më shumë se një javë më vonë, FIFA votoi Katarin si organizues të Botërorit 2022. Përveç kësaj, francezit iu ndalua përfshirja në botën e futbollit, pasi u akuzuar edhe për marrjen e një pagese prej dy milion franga zvicerane, dhënë nga Blateri në vitin 2011, kur ky i fundit po kërkonte rizgjedhjen si president. Pagesa kishte të bënte me punën e kryer nga Platini midis periudhës 1999-2002. Të dy u shpallën fajtorë për “ekzekutim abuziv” të fuqive të tyre dhe një konflikt interesi.
Platini, tani 64 vjeç, ka luftuar për të pastruar emrin e tij që në fillim. Ai arriti ta reduktojë pezullimin e tij, nga 8 vite, në 6 e më pas në 4, duke fituar të drejtën të punojë në futboll. Ai mund të fillojë punë të hënën kur edhe skadon pezullimi i tij. “Do të kthehem, – ka thënë ai. – Nuk e di se ku dhe si. Kam pasur shumë oferta për t’u bërë ekspert, në organizimin e Kupave të Evropës dhe të Botës. Por gruaja ime më ka këshilluar të mos kthehem më, të mos e përjetoj të njëjtën dashuri dy herë.”
“Kështu që dyert e mia janë mbyllur tashmë, veçanërisht ato në UEFA. Nëse unë do të isha përfshirë në korrupsion, zviceranët dhe amerikanët do të kishin gjetur diçka kohë më parë”, – ka përfunduar Mishel Platini, duke folur për mediat franceze.