AlbanianSport.com 04/10/2019 22:10
ASNN – Spanjolli del frikshëm nga pista në kthesën e 7-të në Tajlandë, mjekët i japin dritën jeshile. Mark Markezi ka patur buzëqeshjen e tij karakteristike në intervistën dhënë pas provave të lira të premten pasdite në pistën e Buriramit, aty ku të shtunën do të zhvillohen provat zyrtare dhe të dielën do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Tajlandës në Moto GP. Ka kaluar nga ferri në parajsë, në hapësirën e pak orëve dhe ka dëshmuar se pse është një “kampion bote” në fuqi, por edhe që pret të kurorëzohet sërish.
Madje Mark Markezi ka patur buzëqeshjen e tij karakteristike në intervistën dhënë pas provave të lira të premten pasdite në pistën e Buriramit, aty ku të shtunën do të zhvillohen provat zyrtare dhe të dielën do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Tajlandës në Moto GP. Në fakt, ka qenë i frikshëm ai aksident i tij në seancën e parë të provave të lira, teksa spanjolli ka rrëshqitur dhe më pak motori ka fluturuar disa herë në ajër, duke ndjekur pilotin, por, për fat të mirë, pa e goditur atë. Motori pësoi dëmtime të rënda, ndërsa vetë Markezi u dërgua në spital.
Aty ku iu nënshtrua kontrollove mjekësore dhe, vetëm pasi mjekët i kanë hapur dritën jeshile, është rikthyer të hipë sërish mbi motor për seancën e dytë të provave lira dhe madje të jetë mjaft i shpejtë në seancën e 3-të. “Në fakt, vendimi për t’iu nënshtruar testeve mjekësore ishte më i arsyeshmi në ato rrethana dhe jam i kënaqur që kam shpëtuar pa dëmtime serioze”, ka deklaruar spanjolli pas provave të lira të së premtes. “Ndjej dhimbje, natyrisht, por në përgjithësi ndjehem mirë”, – ka shtuar ai. – Aksidenti ishte i frikshëm, por kjo nuk do të më ndalojë mua të pilotoj ashtu siç bëj gjithmonë.”
“Të them të drejtën, as vetë nuk e kuptoj dhe as skuadra nuk arrin ta shpjegojë se pse më ndodhi ai aksident, por besoj se ishte më tepër për shkak të disa papastërtive që ishin grumbulluar tek gomat ose tek pista. Nuk e di. Megjithatë, jam gati për provat zyrtare dhe për garën”, – ka përfunduar piloti i “Hondës”, Mark Markezi. Provat zyrtare do të zhvillohen të shtunën në mëngjes, në ora 09:00 me orën e Tiranës dhe do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ashtu sikundër gara e së dielës.