AlbanianSport.com 01.12.2014 13:10
ASNN – Humbja e papritur të shtunën i ka shokuar të gjithë në Berat. Jo vetëm sepse është humbur derbin, por disfata ka ardhur nga Naftëtari, skuadër e cila është në vendin e fundit në renditjen e grupit të Jugut. Jo vetëm kaq, por goli ka ardhur në fundin e ndeshjes në një kundërsulm të shpejtë të miqve me autor Zylyftarin.
Për gjithçka që ka ndodhur, në emër të skuadrës, kapiteni i Tomorit, Gersi Arbëri, ka kërkuar falje ndaj tifozëve. “Tifozëve personalisht u kërkoj falje, por i them se në futboll ka dhe humbje, – ka thënë ai. – Pavarësisht kësaj loje të dobët, që ne zhvilluam me Naftëtarin, do t’i kërkoja tifozëve që t’i mbështesnin lojtarët dhe ekipin.”
“Skuadra duhet mbështetur jo vetëm kur është në ditët e saj më të mira, por dhe kur ndodhet në gjendje të keqe si kjo ndaj Naftëtarit, – ka vijuar kapiteni beratas. – I falënderoj për mbështetjen e madhe që ata na japin, ndërsa e ndjej si detyrim që t’u kërkoj të falur.”
“Por kërkoj nga lojtarët që të fitojmë ndeshjet e radhës, sepse vetëm kështu mund të rregullojmë këtë gabim fatal që bëmë me Naftëtarin”, – ka përfunduar kapiteni i Tomorit, Gersi Arbëri. Ndërkohë drejtori teknik i Tomorit, Klodian Arbëri, nuk i ka kursyer kritikat e tij ndaj disa futbollistëve, ndërsa i ka pasur të ashpra ndaj skuadrës.
Dhe për këtë gjë, ashtu sikurse ka bërë dhe kur ka qenë në fushë, vazhdon të fitojë respektin e tifozëve të zjarrtë beratas.