AlbanianSport.com 03/10/2019 23:05
ASNN – Italianët kapërcejnë pësimin e një goli, shënojnë dy herë, takimi erdhi direkt në RTSH. Liga e Evropës, ka luajtur të enjten takimet e dyta në grupe dhe ndeshja më e spikatur e mbrëmjes ka qenë përballja italo-franceze midis Lacios dhe Renës. Ndeshja e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, është fituar nga italianët me rezultatin 2-1. Në fakt, ndeshja e luajtur në Stadiumin “Olimpiko” të kryeqytetit italian, dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë e vakët në pjesën e parë të saj,
Ajo i ka parë të dyja skuadrat duke menduar më tepër që të mos pësojnë gol dhe më pak për të ndërtuar aksione sulmuese. Francezët kanë patur një pretendim në minutën e dytë të ndeshjes për një 11-metërsh, pas rrëzimit të njërit prej lojtarëve të tyre në zonë, por nuk ka qenë i këtij mendimi gjyqtari kryesor. Lacio do të rrezikojë më pas me një rast të Imobiles, ndërsa miqtë do të kundërpërgjigjen me një mundësi të tyre, por pa e gjetur dot kuadratin e mbrojtur nga “gardiani” shqiptar i portës së romanëve, Thomas Stakosha.
Megjithatë, gjithçka ka qenë shumë pak nga të dyja skuadrat dhe pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, janë miqtë që do të prishin të parët “monotoninë” dhe do të kalojnë në epërsi në minutën e 55-të, me anë të Zheremi Morelit, i cili realizon nga fare afër. Goli e ka zgjuar takimin dhe Lacio, që vinte pas një humbjeje 1-2 në takimin e parë të këtij grupi në shtator në Rumani përballë Klujzhit vendas, e kupton se një tjetër dështim, për më tepër në shtëpi do të ishte fatal në këtë fazë dhe reagon menjëherë. Dhe është i futuri në fushë në fillim të pjesës së dytë, Sergej Milinkoviç-Saviç, që barazon shifrat në 1-1.
Ndonëse Rena do të kundërpërgjigjet me një lojë agresive në kërkim të golit të epërsi, është Lacio që e gjen atë në krahun tjetër, kur, përkundër rrjedhës së takimit, Milinkoviç-Saviç shërben bukur në minutën e 75-të për Imobilen, që godet saktësisht me kokë dhe përshëndet rrjetën. Përtej përpjekjeve të francezëve në çerekorën e fundit dhe 5 minuta shtesë, që kanë gjetur edhe Strakoshën në lartësinë e duhur, Lacio mposht Renën 2-1 dhe gjen fitoren e parë në këtë fazë të grupeve të Ligës së Evropës.