AlbanianSport.com 03/10/2019 21:15
ASNN – 10 vite dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Në klubin e Milanit nga presidenca e Berluskonit, në vitet e fundit të saj, te kinezi Li e tani te fondi “Eliot”, strategjia ka qenë e njëjtë, por defiçiti financiar shpenzime-arkëtime është rritur. E kjo situatë nuk ka gjasa të ndryshojë për shkak se lojtarët nuk po bëjnë paraqitje aspak të mira, duke bërë që vlera e tyre në merkato të bjerë. Më herët, ishin vitet e fundit të presidencës së Berluskonit e Galianit, pastaj periudha e drejtuar nga kinezi Jonghong Li e dyshes Fasone-Mirabeli, tani e fondit “Eliot” me Gazidisin, Maldinin, Leonardon në fillim e më pas Boban-Masara.
Milani ka ndryshuar thellësisht gjatë 10-vjeçarit të fundit, nga presidencat e reja e drejtuesit e tjerë, por politika e ndjekur ka qenë e njëjtë, ajo e investimeve të mëdha, por që nuk ka sjellë rezultatet e duhura. Përkundrazi, Milani është klubi italian që ka shpenzuar më shumë nga të gjithë dhe që ka raportin shpenzime-arkëtime në merkato, më negativin në të gjithë Serinë A. “La Gazzetta dello Sport” publikon raportin e Cies-it, që zbulon se Milani është midis 5 klubeve që kanë kryer shpenzime të mëdha në 10-vjeçarin e fundit në Evropë.
Ai vjen pas klubeve multimiliardere, si Mançester Siti me -1091 milionë euro, Paris SG-ja -901, Mançester United -833 dhe Barcelona, -720 milionë euro, në raportin shpenzime-arkëtime. Me -439 milion euro, Milani ka lënë pas klube të tilla si Reali i Madridt, -425, Juventusi -414, Çhelsi -395 e Inter -391. E sipas një analize të bërë për 2019, gjatë dy periudhave të merkatos, defiçiti financiar është shtuar më shumë, sidomos duke parë edhe paraqitjen e lojtarëve në fushë, Milani tani është klubi i 3-të në Evropë me një defiçit prej -153 milioni euro.
Ai ka lënë pas Realin e Madridit, me -175 e Aston Vilën me -174. Por çfarë tregojnë këto shifra? Sipas strategjisë, Milani ka patur një qëllim që lojtarët e blerë t’i shesë me çmim më të lartë, por kjo gjë duket e pamundur tani, sepse me paraqitjet që ka bërë skuadra zor se futbollistët mund të shiten më shtrenjtë se sa janë blerë. Sepse për të realizuar një projekt investimi fitimprurës, duhen mbi të gjitha edhe rezultatet sportive. Ato që mungojnë prej kohësh në shtëpinë e Milanit.