AlbanianSport.com 02/10/2019 19:25
ASNN – Feteli dhe Lëklerku nuk mund të jenë më një skuadër. Kjo vërtetohet përfundimisht, pas asaj që ndodhi në garën e fundit në Soçi. Pas një analize të bërë nga gazetari Andrea Kremonesi, i dërguari special i “La Gazzetta dello Sport” për Formula 1, i takon drejtorit të përgjithshëm të Ferrarit, Matia Binoto, që të ruajë harmoninë në skuadër, të paktën deri në fund të këtij kampionati. Gazetari i njohur italian, beson se marrëdhënia e dy pilotëve të Ferrarit, është në fije të perit, ndërsa thekson se piloti nga Monako është e ardhmja e skuadrës së “Maranelos”.
“Sharlin, Binoto e quan “Të Paracaktuar”, dhe e di se ai është e ardhmja e “Ferrari”-t. Ai është një pilot i zoti, si Hemiltoni, një trashëgimtar i mundshëm i tij për nga talenti dhe identiteti”, – shpjegon Kremonesi. Ndërsa për Fetelin, gazetari i mirënjohur italian thekson: “Sebi, i cili humbi kryesimin e renditjes për shkak të gabimeve të bëra në sezonin e kaluar dhe në pjesën e parë të këtij Botërori, u rilind pjesërisht pas fitores së papritur në Singapor. Dhe ai vështirë se do të pranojë një rol mbështetës. Ai nuk pranon të ndihmojë partnerin e ri, ashtu si në Belgjikë, megjithëse e di që nuk mund të luftojë me kushte të barabarta.”
Gazetari e kishte titulluar artikullin e tij: “Janë të pakontrollueshëm”. Dhe në të ai përmend punën e madhe që i del përpara Matia Binotos, drejtuesit të skuadrës së makinës së kuqe, për të ruajtur harmoninë në ekip: “Binoto do të duhet të punojë në të ardhmen për të qetësuar shpirtrat e pilotëve të “Ferrari”-t. Ka bërë shumë përparime në javët e fundit, por gjithsesi ka disa probleme të brendshme në lidhje me pilotët e saj, të cilët kërkojnë një trajtim të kujdesshëm. Tani ai ka një detyrim, të gjejë mekanizmin që të çon në një rivalitet që funksionon pa probleme.”