AlbanianSport.com 01/10/2019 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll do të luajë dy ndeshje eliminatore në kuadër të grupit E, më 4 dhe 8 tetor 2019, përkatësisht kundër Portugalisë në Stadiumin “Elbasan Arena dhe ndaj Finlandës në fushë të huaj. Për këtë, prej dy ditësh vajzat kanë nisur grumbullimin nën drejtimin e trajnerit Vioresin Sinani. Në urdhërat e trajnerit Sinani janë 18 lojtare. Boshti skuadrës përbëhet nga lojtare që luajnë me Vllazninë, Tiranën dhe Ferronikelin, pjesa tjetër nga vajza që luajnë në skuadra jashtë Shqipërisë, siç janë Rrahmani, Hila, Morina, Krasniqi, Begolli, Maksuti, Velaj e Bejleri.
Sinani e di se të dyja përballjet janë të vështira, por siguron se me shpirtin e garës që i karakterizon, vajzat e tij do të japin më të mirën në fushë. “Jemi grumbulluar për ndeshjet e radhës me Portugalinë dhe Finlandën, – ka thënë ai. – Janë dy skuadra të forta, skuadra elite të futbollit të femrave. Kemi dy ditë që stërvitemi normalisht dhe po bëhemi gati t’i përgjigjemi me të mirën Portugalisë. Jam i bindur se do të paraqitemi mirë, dhe do kërkojmë të marrim rezultat pozitiv. Do të bëjmë maksimumin në këto dy ndeshje.”
“Jemi në një grup të fortë por jam i bindur se me vajzat do të bëjmë një punë shumë të mirë këto dy ndeshje”, – ka shtuar ai. Trajneri Sinani e ka të qartë që skuadra e tij duhet të tregojë shpirtin e lartë të garës ndaj Portugalisë. “Pika më e fortë është kolektiviteti, – thotë shkodrani. – Jemi një grup i mirë, me vajza që luajnë në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë. Punojmë me dëshirë dhe luftojnë së bashku. Kjo është e vetmja armë me të cilën mund t’u përgjigjemi. Ne nuk kemi cilësitë e tyre, vetëm me shpirt gare mund t’i përballojmë.”
“Portugalia është një skuadër teknike, që luan mirë me topin, bëjnë një futboll të bukur, por siç e theksova edhe më parë, ne do të vendosim shpirtin në fushën e lojës, – ka vijuar ish-futbollisti i Vllaznisë. – Kjo arma më e fortë e jona në krahasim me çdo kundërshtar. Lufta sportive është arma jonë dhe vajzat e grumbulluara japin në çdo ndeshje 100% e tyre. Jam i bindur se do dalim mirë. Kemi marrë elementet më të mira të mundshme.” Trajneri Vioresin Sinani nuk kërkon të kalojë në aventurë. Me një mbrojtje të kujdesshme dhe kundërsulmin, ai kërkon të arrijë rezultatin pozitiv.
“Do luajmë të ngjeshur në mesfushë dhe me kundërsulme do tentojmë të kapim ekipet kundërshtare në befasi, – thotë ai. – Jam optimist që do të bëjmë mirë. Ka vend për prurje të reja, por jemi më të kufizuar te femrat. Besoj se janë më të mirat.”. Në fund ai kërkon që të ketë edhe mbështetjen e tifozëve dhe është i sigurt që shqiptarët do i përgjigjen ftesës së tij. “I bëj thirrje gjithë popullit të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, që të vijnë t’i mbështesin vajzat. Ato kanë nevojë dhe besoj se do na mbështesin”, deklaroi trajneri Vioresin Sinani.
Në grupin E, ku ndodhet Shqipëria, përveç Portugalisë dhe Finlandës, bëjnë pjesë edhe Skocia dhe Qipro.