AlbanianSport.com 30/09/2019 21:00
ASNN – Klubi i Futbollit “Partizani” ka reaguar me ashpërsi ndaj ngjarjes së ndodhur në takimin Tirana-Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, duke i konsideruar ato si “akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë”, që “mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme”. Në një reagim në rrjetet sociale, Klubi i Futbollit Partizani, vlerëson se “Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv” shkruan klubi.
Sipas tij “Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi””.
Gjithnjë sipas reagimit të Klubit të Futbollit Partizani, “Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë”.
Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”.
Klubi i Futbollit Partizani ju bën thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.