AlbanianSport.com 30/09/2019 18:15
ASNN – Italiani: Një kampion fiton me çfarëdolloj motori dhe, në një moshë të caktuar, tërhiqet. “Një kampion fiton me çfarëdolloj motori dhe, në një moshë të caktuar, tërhiqet”, – ka deklaruar piloti më i famshëm i të gjitha kohërave mbi dy rrota, Xhakomo Agostini. Në fakt, ai po i referohej vendimit të pritshëm të veteranit të “Jamaha”-s, Valentino Rosi, i cili tanimë 40 vjeç, po shqyrton mundësinë e tërheqjes. Në një intervistë të dhënë ditët e fundit, legjenda e motoçiklizmit italian dhe botëror, ka hedhur dorashkën e sfidës për brezin e ri të pilotëve të Moto GP-së.
Ai është padyshim piloti më i famshëm i të gjitha kohërave mbi dy rrota dhe, natyrisht, kur Xhakomo Agostini flet, e gjithë bota dëgjon. Dhe në një intervistë të dhënë ditët e fundit, legjenda e motoçiklizmit italian dhe botëror, ka hedhur dorashkën e sfidës për brezin e ri të pilotëve të Moto GP-së. “Një kampion fiton me çfarëdolloj motori dhe, në një moshë të caktuar, tërhiqet”, – ka deklaruar ai. Në fakt, ai po i referohej vendimit të pritshëm të veteranit të “Jamaha”-s, Valentino Rosi, i cili tanimë 40 vjeç, po shqyrton mundësinë e tërheqjes.
“Vitet kalojnë për të gjithë”, – ka thënë Agostini, duke vijuar: “Pilotët e rinj i kapërcejnë problemet. Shikoni Markezin, ai kurrë nuk ankohet. Ai është ose i pari ose i dyti. Ai ka moshën e duhur dhe thjesht marshon përpara.” Po kur e kupton se duhet të tërhiqesh. Agostini e ka një përgjigje: “Nuk e kupton edhe aq lehtë. Janë disa gjëra të vogla që nis t’i humbasësh. Ndjehesh ende në formë kur je 30, apo edhe 40, por deri aty. Drejt fundit, ti reflekton më tepër mbi gjërat dhe atëherë e kupton se duhet të tërhiqesh. Unë kam fituar gjithçka në jetë, por, kur nisa të dal i dyti, apo më keq, të vuaja edhe për të dalë i dyti, e kuptova se duhet të tërhiqesha. Nuk ishte një vendim i lehtë, sepse kam qarë për 3 ditë me radhë.”
“Sporti ishte dashuria e jetës sime dhe çdokush e ka të vështirë të ndahet, por unë vendosa më në fund, edhe pse humba shumë miq”, – ka shtuar ai. Agostini ka theksuar se, sipas tij, “një kampion i vërtetë nuk ka nevojë për kohë për ta kuptuar motorin. “Kampionët e mëdhenj, nga Heilvudi, tek Riidi apo unë vetë, i ndërronim motorët pa problem çdo 15 ditë”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Majk Heilvudi kërcente mbi motor dhe fitonte.”
Ndërkaq, duke folur për pilotët aktualë, legjenda e motoçiklizmit ka theksuar se beson se Mark Markezi nuk do të ndërrojë skuadër, ndërsa “Jamaha” duhet të nxitojë për “ta blinduar” Fabio Kuartararon, përndryshe do t’ia rrëmbejnë. ““Jamaha” duhet t’i bëjë patjetër një parakontratë Fabios, ose përndryshe do ta humbë”, – ka përfunduar Xhakomo Agostini.