AlbanianSport.com 29/09/2019 20:15
ASNN – “Mercedes”-i merr dy vendet e para, zhgënjen “Ferrari”, gara erdhi direkt në RTSH. Formula 1 ka zhvilluar të dielën garën e radhës dhe Ljuis Hemiltoni ka triumfuar në Çmimin e Madh të Rusisë, duke korrur fitoren e tij të 9-të këtë sezon. Podiumin e garës ruse, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, e plotësoi Valteri Botási dhe Sharl Lëklerku.
“Ferrari” dukej se më në fund po e ndalte dominimin e “Mercedes”-it pistën e Autodromit të Soçit, por, brenda vetëm pak sekondash, shpresat e skuadrës italiane për një fitore u davaritën, pasi kryesuesi i renditjes së përgjithshme të pilotëve dhe kampioni në fuq i botës, Ljuis Hemiltoni e rrëmbeu mundësinë që iu paraqit dhe gjeti fitoren e tij të parë në Formula 1 që nga ndërprerja për pushimet verore.
Sebastian Feteli mori në mënyrë të papritur kryesimin e garës që nga vendi i 3-të, duke parakaluar menjëherë “Mercedes”-in e Hemiltonit dhe shokun e tij të skuadrës së “Ferrari”-it, Sharl Lëklerkun, ndërsa shpejt u kuptua se ky kishte qenë një skenar i përgatitur më parë nga skuadra italiane. Skenar që funksionoi, por kur Fetelit iu kërkua t’i rikthente shokut të skuadrës vendin e parë, 4 herë kampioni i botës nuk pranoi, përtej protestave në radio të pilotit të ri nga Monako.
Megjithatë, gjendja u pranua, deri kur Lëklerku u fut për të ndërruar gomat dhe doli përpara gjermanit, duke marrë kryesimin. Por në xhiron e tij të parë pas ndërrimit të gomave, Feteli pati probleme me motorin dhe u tërhoq nga gara. Por futja e makinës së sigurisë u dha makinave të “Mercedes”-it mundësinë të ndërronin pa problem gomat dhe Hemiltoni doli para Lëklerkut, ndërsa Valteri Botasi pas tij.
Kur makina e sigurisë u fut prapë në pistë, pas përplasjes së Xhorxh Rusëllit, “Ferrari” vendosi ta tërheqë prapë pilotin e saj për ndërrim gomash dhe ai doli i 3-ti në pistë, duke synuar të sulmonte dy makinat ‘Mercedes” përpara tij. Një sulm që nuk u materializua kurrë në 20 xhirot e fundit dhe skuadra gjermane mori dy shkallët e sipërme të podiumit, ndërsa Lëklerku atë të fundit.
Hemiltoni ka triumfuar kështu në Çmimin e Madh të Rusisë, duke korrur fitoren e tij të 9-të këtë sezon, teksa e thellon në 73 pikë kryesimin, thuajse sa 3 fitore, teksa kanë vetëm 5 gara për t’u zhvilluar. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara ruse u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.