AlbanianSport.com 27/09/2019 16:00
ASNN – Valentino Rosi ka pranuar se Fabio Kuartararo është një pilot shumë i shpejtë. “Ajo që bën ai në pistë është me të vërtetë e mrekullueshme. Edhe në prova është gjysmë sekonde më i shpejtë se të gjithë. Më takon edhe mua që kam të njëjtin motor me të, që të bëj maksimumin’, – ka thënë Rosi.
Në fakt, rezultatet e arritura deri tani nga Fabio Kuartararo kanë qenë fantastike. Sidomos për një pilot të ri dhe pa shumë përvojë. E ka qenë Valentino Rosi, që ka thënë fjalët më të mira për pilotin e “Jamaha”-s kliente të “Petronas”-it, Fabio Kuartararon, surprizën e vërtetë të këtij sezoni në Moto GP.
“Kuartararo ka një talent të jashtëzakonshëm, – ka thënë veterani italian i motoçiklizmit. – E prisja të ishte i shpejtë, por jo kaq shumë. Asnjë nuk e kishte parashikuar. Ato që bën, edhe në sesionet e provave, janë me të vërtetë të pabesueshme. Ngjitet në motor dhe nuk mendon më për asgjë.”
“Nuk ka përjetime negative. Sa herë zbret në pistë, është gjysmë sekonde më i shpejtë se të gjithë të tjerët. E nëse je edhe ti me të njëjtin motor, atëherë të duhet të punosh më shumë, të japësh maksimumin për të mos qenë shumë larg prej tij”, – ka përfunduar Valentino Rosi.