AlbanianSport.com 27/09/2019 15:05
ASNN – Trajneri bullgar i Vllaznisë reflekton mbi përgatitjet, grupin e lojtarëve dhe favoritet për titull. Vllaznia e basketbollit për meshkuj vijon përgatitjet për sezonin e ri, por trajneri Nikolai Gospodinov mendon se skuadra nuk është ende aty ku duhet. “I kemi nisur përgatitjet para 3 javësh dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kanë ardhur me vonesë, siç ndodhi edhe me amerikanët, dy prej të cilëve erdhën të dëmtuar dhe madje humbën edhe një javë nga përgatitjet për skuadrën”, – ka deklaruar ai.
“Me pak fjalë, skuadra nuk është ende në formën e saj më të mirë dhe unë shpresoj që brenda javës së ardhshme, ta rrisim nivelin e lojës sonë dhe të përmirësohemi edhe ca”, – ka shtuar Gospodinov. Megjithatë, bullgari i stolit shkodran e vlerëson kontingjentin e lojtarëve të ka në dispozicion. “Sa u përket lojtarëve, unë mendoj se ne nuk kemi një skuadër të keqe për kampionatin kombëtar”, – ka thënë ai. – Kemi lojtarë amerikanë për pozicionin 4 dhe 5, por edhe për pozicionin 1 dhe 2.”
“Por edhe disa lojtarë vendas që janë të një niveli të mirë, – theksuar bullgari. – Prandaj shpresoj që, me pak punë, ne mund të arrijmë rezultate të mira.” Trajneri i Vllaznisë është i ndërgjegjshëm për sfidat e këtij viti në kampionat, por beson tek potenciali i skuadrës së tij. “Unë shoh si favorite për të fituar titullin Goga Basketin, mbase edhe Teutën, sepse ata kanë më tepër përvojë sesa ne, kanë një buxhet më të madh financiar”, – ka thënë Gospodinovi.
“Prandaj janë ato favoritet më të mëdha për të fituar trofe. Por ne do të bëjmë më të mirë tonë, do të përpiqemi sa më tepër të jetë e mundur të arrijmë nivelin e tyre, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë sportiv dhe gjithçka tjetër”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë së basketbollit për meshkuj, Nikolai Gospodinov. Të enjten, Vllaznia fitoi me përmbysje në fund, 75-73, në miqësoren e zhvilluar në mbrëmje në kryeqytet ndaj Tiranës.