AlbanianSport.com 26/09/2019 22:35
ASNN – Atletja shqiptare dhe trajneri i saj, prej disa ditësh në Doha, për garën e 3,000 m me pengesa. Shqipëria do të marrë pjesë me vetëm një sportiste në Botërorin e Atletikës për Të Rritur që do të mbahet në kryeqytetin e Katarit Doha dhe ajo është atletja e mirënjohur, Luiza Gega.
Ajo do të konkurrojë në garën e 3,000 m me pengesa dhe prova e saj e parë do të jenë bateritë kualifikuese, që mbahen më 27 shtator, pra në ditën e hapjes së këtij Botërori, që vijon për afro 10 ditë, për t’u mbyllur më 6 tetor. Garat do të zhvillohen në mbrëmje dhe në bateritë eliminatore do të marrin pjesë plot 43 atletë.
Pra pritet një nivel i lartë konkurrence, teksa kualifikohen vetëm 3 të parat e kësaj baterie, si dhe 6 më të shpejtët e të gjitha baterive që nuk arritën të futen në 3-shen e parë. Finalja e kësaj gare do të zhvillohet 3 ditë më pas, në mbrëmjen e 30 shtatorit 2019.
Duhet theksuar se koha e Luiza Gegës, e cila është 9 minuta, 25 sekonda e 80 të qindtat, është ndër 10 kohët më të shpejta të 43 garueseve në 3,000 metra me pengesa, ndërsa rekordi kombëtar, që mbahet po prej saj, është 9 minuta e 22 sekonda.
Atletja dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, ndodhen prej pak ditësh në kryeqytetin e Katarit, aty ku gara në stadium nuk pritet të paraqesë probleme sa u përket temperaturave të larta, karakteristike për Gjirin Persik, por ato mbeten problem gjatë seancave stërvitore.
Megjithatë, Stërmasi ka theksuar se mbetet optimist sa i përket paraqitjes së sportistes së tij, e cila, pak javë më parë, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në garën hibrid të 2,000 m me pengesa, që u zhvilluar në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.