AlbanianSport.com 25/09/2019 19:15
ASNN – Thonë se oreksi vjen duke ngrënë, prandaj edhe Liga e Kombeve të Evropës do të zgjerohet. Edicioni i parë i kësaj veprimtarie, që u fitua nga Portugalia, rezultoi një sukses si në audiencë ashtu edhe në të financa, teksa siguroi të ardhura prej plot 500 milionë Eurosh.
Kësisoj, që Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin kontinental, UEFA vendosi që të bëjë një reformë në këtë veprimtari për edicionin 2020-2021. Në Ligën A të Ligës së Kombeve, numri i skuadrave do të rritet nga 12 në 16 skuadra që do të ndahen në 4 grupe me nga 4 ekipe.
Kjo do të thotë se në Ligën A do të ketë rikthime të skuadrave që në edicionin e parë ranë në Ligën B dhe bëhet fjalë për Gjermaninë, Kroacinë, Poloninë dhe Islandën. Me 16 skuadra do të jenë edhe Liga B dhe C, Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës janë pjesë e Ligës C, ndërsa Liga D do të ketë 7 skuadra.
Shorti i edicionit të dytë të Ligës së Kombeve do të hidhet në 3 mars 2020 në Amsterdam, ndërsa ndeshjet do të luhen në periudhën shtator-nëntor dhe nuk do të ketë më ndeshje miqësore.