AlbanianSport.com 23/09/2019 17:15
ASNN – Gjermani triumfon në Singapor, vlerëson mbështetjen dhe strategjinë e skuadrës. Një fitore për tifozët pas disa javëve të vështira. Kështu e ka cilësuar Sebastian Fetel triumfin e tij në garën e Çmimit të Madh të Singaporit. Siç dihet emocionet e garës erdhën drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Plot 392 ditë. Kaq ditë kishte Sebastian Feteli që nuk e kishte shijuar fitoren kur u zgjua të dielën në mëngjes në Singapor.
Por ajo numër 53 në karrierën e pilotit gjerman ishte padyshim një nga më të ëmblat, pasi strategjia e “Ferrari”-t në Çmimin e Madh të Singaporit funksionoi shumë mirë për të, duke i mundësuar të shijonte fitoren pas mëse një viti, një fitore të cilën ai nxitoi t’ua kushtonte tifozëve të tij pas disa javëve të vështira. Feteli erdhi në Singapor në një pozitë aspak të favorshme, pasi ishte mundur nga shoku i tij i skuadrës, Sharl Lëklerk në Belgjikë, përpara se të sabotonte garën e tij në Itali, duke e mbyllur në vendin e 13-të, teksa piloti i ri nga Monako korri fitoren e tij të dytë radhazi.
Por një ndalesë e hershme në pistën e “Marina Bej”, teksa ndodhej në vendin e 3-të, vendin ku edhe e kishte nisur garën teksa Lëklerku ishte nisur, për të 3-tën garë radhazi nga vendi i 3-të, i mundësoi Fetelit të dilte para shokut të tij të skuadrës, por edhe rivalit Ljuis Hemilton dhe i dhuroi gjermanit një kryesim të pastër, edhe përtej pakënaqësisë së dukshme të shokut të tij të skuadrës, një kryesim të cilin ai e ruajti edhe përtej 3 seancave të futjes në pistë të makinës së sigurisë, duke siguruar fitoren e parë të sezonit.
Dhe përpara se të ngjitej në podium, piloti i “Ferrari”-t nuk harroi të falënderonte tifozët. “Këto 2-3 javët e fundit nuk kanë qenë më të mirat”, – tha ai, duke vijuar: “Por, që të jem i sinqertë, ka qenë e pabesueshme që kam marrë kaq shumë mbështetje, kaq shumë letra dhe mesazhe të këndshme. Njerëzit nisin të shpikin versionet e tyre të çështjes e kështu me radhë, ndaj e gjitha kjo më dha shumë forcë dhe besim në vetvete dhe të gjitha këto u përpoqa t’ia shfrytëzoj kur isha në timon dhe padyshim që është gjë e bukur kur jep fryte.”
Edhe vetë gjermani ka pohuar se ishte trembur nga zgjedhja e bërë nga skuadra për ta thirrur aq shpejt për ndërrimin e gomave, një strategji që në fund rezultoi fituese. Fitorja e parë e vitit, i mundësoi Fetelit t’i afrohet Lëklerkut dhe Maks Verstapenit të “Red Bull”-it në renditjen e përgjithshme të pilotëve. Aty ku vetëm 6 pikë e ndan gjermanin nga dy shoku i tij i skuadrës dhe nga holandezi, që ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t me nga 200 pikë secili.