AlbanianSport.com 23/09/2019 16:20
ASNN – Trajneri i mirënjohur dhe ish-sportisti i tij, tanimë drejtor teknik, u përballën në Botërorin e Tajlandës. Një episod interesant ka ndodhur të dielën gjatë zhvillimit të garës në baterisë B të peshës trupore deri në 81 kg, aty ku po konkurronin dy peshëngritësit kuqezi, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj.
Komentatorët ndërkombëtarë kanë veçuar faktin se ish-peshëngritësi legjendar, Pirro Dhima, tanimë drejtor teknik i Federatës Amerikane të Peshëngritjes, ka tërhequr vëmendjen se bashkë me të në sallën e nxemjes në Botërorin që po zhvillohet në Pataja të Tajlandës, ka qenë i pranishëm edhe ish-trajneri i tij, veterani i peshëngritjes shqiptare, Zef Kovaçi.
Siç dihet, ky i fundit ka qenë trajneri i parë i Pirro Dhimës kur ky garonte në fillimet e vet për ngjyrat e Shqipërisë, përpara se të kalonte më pas tek Greqia, me të cilën arriti edhe sukses të jashtëzakonshëm botëror. Siç dihet, ish-peshëngritësi shqiptar është emëruar që nga korriku i vitit 2017 në krye të sektorit teknik të Federatës së Peshëngritjes së Shteteve të Bashkuara.
Dhe që nga ai moment, ai ka bërë që e gjithë peshëngritja amerikane të ndryshojë fytyrë dhe nuk kanë vonuar të vijnë edhe medaljet në të gjitha veprimtaritë, si ato kontinentale, ashtu edhe ato botërore dhe olimpike. Megjithatë, ky përkim historik i veçuar nga komentatorët ndërkombëtarë ka qenë i këndshëm për vetë atë që ka përjetuar peshëngritja shqiptare.