AlbanianSport.com 19/09/2019 22:25
ASNN – Anglezët ngadhënjejnë 3-0 në Gjermani, takimi erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Arsenali ka fituar bindshëm, 3-0 në Gjermani ndaj Eintrahtit të Frankfurtit, duke e nisur kështu mbarë aventurën evropiane. Takimi i vlefshëm për ndeshjet e para të Ligës së Evropës, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë gjithçka nga ky sezon i veprimtarisë së dytë të futbollit të klubeve të kontinentit.
Veprimtaria e dytë e futbollit të klubeve të kontinentit, Liga e Evropës ka ngritur siparin e një tjetër sezoni në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe takimi i përzgjedhur të enjten nga transmetuesi publik ka qenë ai midis Eintrahtit të Frankfurtit dhe Arsenalit, që u fitua nga anglezët me shifrat 3-0. Në fakt, përkundër asaj që sugjeron rezultati takimi ka qenë i baraspeshuar në shumicën e tij dhe në 20 minutat e para, të dy ekipit kanë patur nga dy raste për shënim, por pa i shfrytëzuar dot.
Kjo rrjedhë loje dhe ky rend i rasteve për shënim, shpesh i kthyer përmbys, do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të pjesës së parë, por pikërisht 7 minuta para fundit, është Arsenali që do ta gjejë rrugën e rrjetës, ndonëse për të thyer portierin vendas, Kevin Trap, që deri në atë moment kishte qenë i paepur, do të duhet një devijim. Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta do të nisë me administrimin e londinezëve.
Të cilët do t’i afrohen golit të dytë në minutën e 55-të me Granit Xhakën, por vetëm shtylla horizontale do ta shpëtojë skuadrën gjermane. Eintrahti do të kundërpërgjigjet me dy raste brenda 13 minutave që vijojnë, ndërsa për Arsenalin Saka është i vetëm me portierin brenda zone, nuk arrin të shënojë në minutën e 78-të. Por fati i kësaj ndeshjeje do të vuloset praktikisht menjëherë më pas, kur Kohr merr kartonin e dytë të verdhë dhe del nga loja me karton të kuq, duke e lënë Eintrahtin me 10 lojtarë.
Arsenali nuk vonon të përfitojë dhe, në minutën e 85-të, Saka gjen golin e dytë të miqve, me një goditje nga jashtë zone, pas një kundërsulmi të shpejtë të londinezëve. Gjermanët rrezikojnë gjithçka për gjithçka dhe dy minuta më ndëshkohen, pasi Arsenali përfiton dhe gjen edhe golin e 3-të, me Obamejangun.