AlbanianSport.com 06/09/2019 21:35
ASNN – Polonia shtang edhe Rusinë, e mund 79-74, gjithçka drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Veprimtaria më prestigjioze e koshit në botë, Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, që po zhvillohet në Kinë, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në takimin e parë të transmetuar të premten, Polonia vijon të mbetet e papritura e këndshme, teksa ka shtangur Rusinë 79-74.
Pasi ka mbyllur fazën e parë të ndeshjeve në grupe, duke dërguar në shtëpi gjysmën e 32 skuadrave që e nisën garën më 31 gusht, Botërori i Basketbollit për meshkuj ka nisur të premten fazën e dytë të ndeshjeve në grupe, teksa 16 skuadrat e mbetura janë ndarë në 4 grupe të tjerë, prej nga do të dalin edhe 8 çerekfinalistet. Dhe në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Polonia vazhdon të jetë e papritura e këndshme e këtij Botërori.
Dhe të premten “preja” e saj e radhës ka qenë Rusia. Në fakt, ndeshja e vlefshme për grupin I të turit të dytë, e luajtur në Foshan, ka patur dy tablo të ndryshme, teksa rusët ishin mbizotërues në gjysmën e parë, ndërsa polakët në atë të dytën. Rusia e fitoi 10-minutëshin e parë 22-16 dhe, duke qenë se ai i dyti u mbyll në barazim 18-18, është ajo që shkon në pushimin e madh të ndeshjes duke kryesuar me shifrat 40-34. Por 10-minutëshi i 3-të do të kthejë rrjedhën e lojës në favor të polakëve.
Të cilët e fitojnë atë 19-17 dhe shkurtojnë në 4 pikë epërsinë e rusëve. Polonia e ruan ritmin edhe në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, që në fakt ka qenë tejet i luftuar, duke e fituar atë 26-17 dhe duke përmbysur kështu shifrat, teksa e merr gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 79-74.