AlbanianSport.com 06/09/2019 20:40
ASNN – Teksa ka dalë para mediave të premten në Paris, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka theksuar se kërkon një skuadër agresive dhe të jetë maksimalisht e përqendruar. “I këshilloj djemtë të mos bëjnë gabime dhe t’i japin sa më pak hapësira Francës, – ka thënë ai. – Duhet të japim maksimumin dhe të mbyllim çdo hapësirë, pasi një gabim i vogël, mund të kushtojë shtrenjtë.”
“Njëkohësisht duhet të jemi gati për të shfrytëzuar hapësirat që do të na lërë kundërshtari, – ka vijuar italiani i stolit kuqezi. – Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në mbulimet një për një. Franca ka shumë cilësi dhe Antuan Griezmani është një futbollist që shfrytëzon çdo lloj hapësira e mund të na vërë në vështirësi edhe nga hiçi.”
“Duhet të rreshtohemi mirë, të jemi agresivë dhe t’i markojmë kundërshtarët në çdo cep të fushës, – ka theksuar 74-vjeçari. – Deshampi? Ai është një mik, për të cilin unë kam shumë respekt. Ai nuk do të rrezikojë dhe nuk do t’i hedhë të gjithë lojtarët e tij në sulm, por do të kërkojë një ekuilibër taktik. Ka në skuadër futbollistë shumë të mirë taktikisht, që zbresin shpejt në kundërsulm dhe dinë të shfrytëzojnë hapësirat sado të vogla.”
“E njohim Francën dhe lojtarët e saj, – ka përsëritur veterani i stolit. – Kanë një prani fizike të konsiderueshme, por edhe ne kemi lojtarë shtatlartë, që janë shumë të aftë në lojën në ajër. Ne do të tentojmë ta vëmë në vështirësi Francën edhe në rastet tona nga goditjet standard.”