AlbanianSport.com 05/09/2019 21:45
ASNN – “Ferrari” feston 90 vjetorin e krijimit në Milano. Sheshi “Duomo”, mbushur me tifozë të makinës së kuqe, që përjetojnë momente të paharrueshme. Aty kalojnë makinat që kanë bërë histori ndër vite. Më pas vjen lajmi i shumëpritur: Zhan Todti deklaron se gara e Monzës do të zhvillohet edhe për 5 vite të tjera. “Piazza Duomo” i Milanos, një nga sheshet më të rëndësishme, është bërë protagonist në festimet e 90-vjetorit të krijimit të markës legjendare të makinave, “Ferrari”.
Disa makina historike, me të cilat kanë garuar kampionë të mëdhenj në Formula 1 janë vendosur në shesh, pamjet e të cilave i kanë shijuar mijëra tifozët e makinës së kuqe. Nga legjendat e kësaj marke kanë qenë të pranishëm Alesi, Andreti, Arno’, Prosti apo Bergeri, deri te premtimet e reja si Mik Shumacher, Zhiuliano Alesi ose Enzo Fitipaldi, por edhe ekspozuesve më të fundit midis të cilëve ishin Fizikela, Raikkoneni, Masa apo Ërvajni.
Bashkë me festimet, presidenti i FIA-s, Zhan Todt, ka sjellë edhe lajm e mirë për të gjithë italianët e apasionuar pas Formula 1, rinovimin e garës së Monzës në kalendarin e Botërorit të Formulës 1 edhe për 5 vjet të tjera, deri në 2024. Pas një ovacioni të përzemërt për Majkëll Shumakerin dhe kënaqësisë së himnit të Italisë, Lëklerku dhe Feteli kanë dalë në skenë të shoqëruar nga Mark Zhené. Dhe sheshi “Duomo” gjëmonte si kurrë më parë.
Dy pilotët aktualë të Ferrarit kërkojnë të japin maksimumin në garën e Monzës, për ata vetë, për skuadrën dhe për gjithë tifozët e shumtë. Ata ndjehen krenarë që janë pjesë e kësaj familje të madhe 90-vjeçare, që nuk ndalet, e që, çfarëdo që të ndodhë, do jetë gjithmonë e veçantë.