AlbanianSport.com 04/09/2019 19:35
ASNN – Eliminohet Kina, njihet 8 skuadrat e para të 16-shes, gjithçka drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Në Kinë po zhvillohet Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, i cili, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Të mërkurën, Porto Riko ka mposhtur me vështirësi Tunizinë, ndërsa Italia nuk ka arritur t’i bëjë ballë Serbisë. Veprimtaria më prestigjioze e koshit ndërkombëtar të meshkujve, Kampionati Botëror i Basketbollit, që po zhvillohet në Kinë, ka mbyllur fazën e parë të ndeshjeve në grupet A, B C dhe D.
Dhe një nga ndeshjet e përcjella të mërkurën paradreke nga transmetuesi publik, ka qenë dueli i luajtur në Foshan, midis Porto Rikos dhe Argjentinës, i vlefshëm për grupin C. Në një ndeshje të luftuar nga fillimi deri në fund, amerikanoqendrorët kanë triumfuar me vetëm 3 pikë epërsi, 67-64. Portorikanët e kanë fituar 10-minutëshin e parë, 19-18, dhe atë të dytë, 19-14, dhe kanë shkuar në pushimin e madh midis dy gjysmave në epërsi 38-32. Por tunizianët dalin nga dhomat e zhveshjeve një skuadër tjetër dhe e fiton 10-minutëshin e 3-të, 23-14, duke marrë kryesimin në shifrat 55-52. Por Porto Riko lufton fort dhe e fiton 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, me shifrat 15-9.
Dhe, bashkë me të, gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 67-64, duke iu bashkuar kryesueses së renditjes së grupit C, Spanjës, në fazën tjetër të këtij Botërori. Në fazën tjetër shkojnë edhe dy rivalet e grupit D, Serbia dhe Italia, ndonëse “axurrët” lanë për të dëshiruar në duelin midis tyre, të luajtur të mërkurën pasdreke dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së, në kanalin RTSH Sport. Ballkanasit kanë qenë të pandalshëm në këtë përballje, duke i fituar të 4 pjesët e lojës. 10-minutëshi i parë, që ka qenë më i luftuari, është fituar nga serbët 28-23, ashtu sikundër ka ndodhur edhe me të dytin.
Dhe ballkanasit shkojnë në pushimin e madh të ndeshjes duke kryesuar 50-42. Kështu ka ndodhur edhe në dy 10-minutëshat e tjerë, që serbët i fitojnë përkatësisht 20-15 dhe 22-20 dhe e marrin takimin 92-77. Të dyja skuadrat vijojnë më tej nga grupi D, ndërsa nga grupi B, kualifikohen për më tej Argjentina dhe Rusia, të cilat mposhtën sfidën e Nigerisë dhe Koresë së Jugut. E papritura e madhe erdhi në grupin A, ku përfaqësuesja e vendit organizator, Kina, u eliminua, pasi më tej nga ky grup shkojnë Polonia dhe Venezuela.