AlbanianSport.com 03/09/2019 20:30
ASNN – Triumfon në një betejë nervash me ballkanasit, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Veprimtaria më prestigjioze e koshit ndërkombëtar të meshkujve, Kampionati Botëror i Basketbollit, që po zhvillohet në Kinë dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, vazhdon fazën e ndeshjeve në grupe. Të martën paradreke, Zelanda e Re ka triumfuar në një duel nervash me Malin e Zi, duke e mundur me shifrat 93-83.
Në Kinë po zhvillohet Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, i cili, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. 32 skuadra pjesëmarrëse vazhdojnë ndeshjet në kuadër të fazën së grupeve dhe një nga ndeshjet e përcjella të hënën paradreke nga transmetuesi publik, ka qenë dueli euro-oqeanik, i luajtur në Nanxhing, midis Malit të Zi dhe Zelandës së Re, i vlefshëm për grupin F.
Neozelandezët kanë lënë pas humbjen me Brazilin në ndeshjen e parë, duke triumfuar në një duel nervash me malazezët, duke i mundur me shifrat 93-83. Në fakt, 10-minutëshi i parë ka qenë i luftuar, por është Zelanda e Re që e fiton atë me rezultatin 31-26. Edhe 10-minutëshi i dytë ka qenë i luftuar, po janë sërish neozelandezët që e fitojnë edhe atë, me shifrat 22-18, duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave me një epërsi prej 9 pikë, 53-44.
Por Mali i Zi ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve dhe, në një 10-minutësh të 3-të të karakterizuar nga një rivalet dhe nervozizëm i theksuar, ka triumfuar me shifrat 21-13, duke e ngushtuar në vetëm 1 pikë epërsinë e oqeanikëve. Por malazezët nuk arrijnë ta mbajnë ritmin në 10-minutëshin e 4-t dhe atë të fundit, pasi Zelanda e re kthehet fuqishëm në lojë dhe e fiton atë 27-19 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 93-83.