AlbanianSport.com 03/09/2019 16:50
ASN – Rafael Nadal respekton parashikimet dhe fiton me Marin Çiliçin në turin e 16-shes së Turneu të Hapur Amerikan (US Open), me rezultatin 3-1. Kroati reziston një orë, por më pas nuk arrin të mbajë ritmin e fenomenit spanjoll, që tashmë do të përballet me Diego Shvartcman, ndëshkuesin e Aleksandër Zverevit. Tek femrat, surprizë largimi nga turneu amerikan i Naomi Osakas. Nëse edhe Tajgër Vudsi gëzohet për ty, do të thotë se ke arritur diçka speciale.
Në fakt mënyra që ka zgjedhur Rafael Nadal për të kaluar në çerekfinalet e “US Open” është me të vërtetë për t’u adhuruar më shumë sesa Federer, e kjo do të thotë shumë për ndeshjen e zhvilluar nga fenomeni spanjoll, autor i një ndeshje normale vetëm për një orë, por i zoti për ta ngritur nivelin e lojës në dy setet e tjera. Këtë e pa edhe Marin Çiliçi. Deri në barazimin 1-1 me sete dukej sikur do të ishte një ndeshje e ekuilibruar. Por më pas nuk kishte më histori.
Kroati dorëzohet përballë furisë dhe klasit të Nadalit që fiton 3-1. Spanjolli kthehet në një makinë që prodhon pikë dhe Çiliç nuk ka se ç’të bëjë, vetëm të dorëzohet. Nadali kalon në çerekfinalet e “US Open” ku do të presë Diego Shvartcman. Ky i fundit ka eliminuar Aleksandër Zverevi. Gjermani vazhdon të tregojë se 2019-ta për të ka qenë tepër zhgënjyes. Schvartcmani vërtet e kaloi Zverevin, por tashmë do të përballet me Nadalin, që sigurisht do të jetë një tjetër histori.
Ndërkaq, vazhdon anarkia në konkurrimin për femra. Pas eliminimit të numrave 2 dhe 3 në renditjen botërore, vjen edhe largimi i Naomi Osakas. Tenistja japoneze mundet nga Belinda Bençiç në dy sete, 7-5 e 6-4, duke u përshëndetur kështu jo vetëm me largimin nga “US Open”, por edhe me numrin 1 në renditjen botërore. Osaka ka qenë e penalizuar edhe nga një dëmtim në gjurin e majtë, që e pengoi të jepte 100%. Ajo tashmë do të zbresë në vendin e 3-të duke ia lënë kreun, Eshli Bartit, e cila edhe nëse nuk fiton turneun, mbetet para Karolinës e Pliskovas.