AlbanianSport.com 02/09/2019 21:05
ASNN – Kombëtarja kuqezi mundet 0-3 përballë Finlandës në “Elbasan Arena”, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH. Shqipëria e futbollit të femrave e ka nisur me një humbje fushatën e Eliminatoreve të Evropianit 2021, teksa është mundur të hënën me rezultatin 0-3 në përballjen me Finlandën.
Në fakt, ndeshja që është luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka nisur me gjysmë ore vonesë për shkak të rreshjeve të dendura të shiut. Dhe janë finlandezet që e nisin më mirë.
Ato gjejnë rrugën e rrjetës pas vetëm 10 minutash lojë kalojnë në epërsi me Sallstrëmin. Kombëtarja kuqezi mundohet të reagojë, por nordiket gjejnë edhe golin e dytë 16 minuta më pas, me anë të Kollanenit. Dhe fati i kësaj ndeshjeje do të vuloset praktikisht që në pjesën e parë.
Sepse Finlanda do të gjejë edhe golin e 3-të, 7 minuta para fundit, kur Sallstrëmi do të plotësojë dygolëshin e saj vetjak. Me këtë epërsi të trefishtë do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat, përtej përpjekejeve të vajzave kuqezi, por edhe goditjes së shtyllës nga finlandezet, që ishin pranë gjetjes së golit të 4-t, nuk do të sjellin ndryshim në rezultat.
Dhe Shqipëria do të mundet 0-3 në takimin e parë, ndërsa në sfidën tjetër të grupit E, Skocia ka shpartalluar Qipron me rezultatin 8-0, duke marrë kreun e renditjes.