AlbanianSport.com 02/09/2019 20:10
ASNN – Luis Skola shkruan historinë në takimin e dytë të grupit B, gjithçka drejtpërdrejt në RTSH. Në Kinë po zhvillohet Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, i cili, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Të hënën paradreke, Argjentina ka vuajtur, por ia ka dalë të mundë Nigerinë me shifrat 94-81. Veprimtaria më prestigjioze e koshit ndërkombëtar të meshkujve, Kampionati Botëror i Basketbollit, që po zhvillohet në Kinë dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, vazhdon fazën e ndeshjeve në grupe.
Dhe një nga ndeshjet e përcjella të hënën paradreke nga transmetuesi publik, ka qenë dueli afrikano-latin i luajtur në Uuhan, midis Nigerisë dhe Argjentinës, i vlefshëm për grupin B. Dhe pasi kishte kërcënuar, por pa ia dalë në fund të mundte Rusinë, duke u mundur ngushtë, 77-82, Nigeria ka vijuar të bëjë një tjetër paraqitje të mirë ndaj Argjentinës, por përvoja ka bërë dallimin në fund dhe amerikanojugorët ngadhënjejnë me shifrat 94-18 dhe korrin fitoren e dytë në po aq ndeshje. Në fakt, përtej asaj që sugjeron rezultati i përgjithshëm, argjentinasit kanë vuajtur deri në fund përballë afrikanëve.
Latinët e fituan 10-minutëshin e parë 28-17, por nigerianët kanë reaguar në atë të dytin, duke e fituar atë 26-15 dhe duke bërë që të dyja skuadrat të shkojnë në pushimin e madh në barazim 43-43. Por Argjentina del nga dhomat e zhveshjeve më e vendosur dhe e fiton 10-minutëshin e 3-të, 29-18, dhe, përtej përpjekjeve të mëdha të afrikanëve, e fiton edhe të atë të 4-t dhe të fundit me shifrat 22-20 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 94-81. Duhet theksuar se në këtë takim, Luis Skola u ngjit në vendin e dytë të renditjes së të gjitha kohërave sa i përket pikëve të shënuara në Botëror, duke parakaluar australianin e famshëm, Endrju Gejz.
Dhe duke patur përpara vetëm brazilianin legjendar, Oskar Shmidt. Tanimë në Botërorin e tij të 5-të, Skola, i cili prillin e ardhshëm mbush 40 vjeç, kapërceu kufrin e 595 pikëve në karrierën e tij ndërkombëtare, një më tepër sesa Gejzi. Skola renditet tanimë pas Shmidtit, që ka realizuar 906 pikë në 34 ndeshje që ka luajtur nëpër Botërorë. Përveç Shmidtit, Skolës dhe Gejzit, 5-shen historike të të parëve e plotësojnë jugosllavi Drazhen Dalipagiç, me 563 pikë dhe portorikani Hoze Piculin Ortiz, me 511 pikë