AlbanianSport.com 02/09/2019 14:40
ASNN – “Ferrari” vendosi që Feteli ta linte të kalonte Lëklerkun, sepse, ky i fundit i kishte gomat në gjendje më të mirë. Kjo ishte strategjia që përdori skuadra e kuqe për të arritur fitoren në Spa. Kjo nuk ishte strategjia e “Ferrari”-t në fakt në fillim të garës. Por, duke parë se si po zhvillohej gara në Belgjikë, tek “Ferrari” donin fitoren dhe u bë e qartë se duhej sakrifikuar njëri që të fitonte tjetri. Në bazë të urdhrave të dhëna nga drejtuesit e “Ferrarit”, Sharl Lëklërku, arriti të mbizotërojë garën dhe ta fitojë atë.
Ndërsa Feteli u detyrua të hynte në “pit stop”, sepse edhe Mercedesi kërcënoi të bënte të njëjtën gjë, duke sjellë më pas fitoren e Hamiltonit. Dhe kur të dy pilotët e Ferrarit ishin pranë e pranë, urdhri ishte i qartë: “Seb, lëre Sharlin të kalojë!” Në kundërshtim me ato që u sugjeruan në fakt në fillim të sezonit. Piloti nga Monako ishte gjysmë sekonde më i shpejtë se gjermani, e për Binoton ishte e pakëndshme që të jepte këtë urdhër, por duhej.
“Në fillim të sezonit, urdhra të tillë sollën disa pakënaqësi, por gjithmonë thonim që përparësia ishte skuadra dhe pikët, – ka thënë ai. – Garë për garë e kemi diskutuar këtë gjë dhe në Spa nuk kishim ç’të bënim tjetër. Sidoqoftë, ju them se t’i kërkosh një piloti të lejojë kolegun e tij të kalojë nuk është e lehtë. Na duhej të ndalonim Sebastianin në bokse për të mbrojtur veten nga “Mercedes”-i, sepse, përndryshe Hemiltoni do të kishte parakaluar.”
“Sharli kishte një situatë më të mirë për gomat e tij dhe ishte shumë shpejt në atë kohë, ai do të kishte përfunduar parakalimin sepse ata po shkonin në një strategji të ndryshme. Ne e dinim se ishte më e mira për ekipin dhe, me këtë rast, për Sharlin”, – ka përfunduar kreu i “Ferrari”-t, Binoto.